Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar edhe njëherë pas shfuqizimit të vendimit nga ana e Qeverisë së Kosovës, i cili ua kthen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve ashtu siç i kishin para se t’i merrnin me rritje.
Ajo ka thënë se prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku, nga sot me vendim të Qeverisë, paguhet rreth 1 mijë euro më pak.
“Prokurori që po merret me rastin Brezovica nga sot me vendim të Qeverisë paguhet rreth 1 mijë euro më pak”, tha ajo. “Mos të harrojmë inflacionin!”.
Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar sot vendimin e nxjerrë në vitin 2017 nga kabineti qeveritar i Ramush Haradinajt për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të ish-Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Qeveria ka shfuqizuar disa nene të vendimit të ish-Qeverisë Haradinaj, i cili kishte rënë ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
“[…] me këtë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm pra para datës së hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017 për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar”, tha kryeministri Kurti.