Prokurori Lulëzim Sylejmani, i cili është lënduar rëndë pas një aksidenti me makinë të ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Dollc të Klinës, është dërguar jashtë vendit për të pranuar trajtim mjekësor.
Sylejmani po kthehej nga Gjakova në Prishtinë, së bashku me tre zyrtarë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon se sot, më 24.12.2016, në fshatin Dollc të komunës së Klinës, rreth orës 2:05 min, katër zyrtarë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, prej tyre një prokuror, kanë pësuar aksident trafiku”, njofton Prokuroria e Shtetit.
Siç njofton Prokuroria e Shtetit, dy prej zyrtarëve që ishin në makinën e aksidentuar, kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe tani janë liruar për trajtim në shtëpi, por një zyrtar tjetër ka pësuar lëndime të rënda dhe po trajtohet në QKUK.
“Në këtë aksident dy persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe pas ndihmës mjekësore në Spitalin e Pejës janë liruar për trajtim në shtëpi. Ngasësi i makinës ka pësuar lëndme të rënda trupore, ku tani është duke u trajtuar në Klinikën e Ortopedisë në QKUK në Prishtinë, ndërkaq prokurori Lulzim Sulejmani nga QKUK-ja është transferuar për trajtim jashtë vendit, pasi që është lënduar rëndë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Aksidenti ka ndodhur me veturë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, derisa zyrtarët nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ishin duke u kthyer nga një organizim i mbajtur në Gjakovë, me rastin e fund vitit, për të gjithë stafin e institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit pret përfundimin e hetimeve për të kuptuar shkakun e ndodhjes së aksidentit. /Insajderi.com