×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit për keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, mbrojtja lirimin e tij

    Insajderi
    14 April 2023 - 15:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurorja Fitore Sadikaj, në fjalën e saj përfundimtare ka kërkuar dënimin e të akuzuarit Petrit Tufa, në rastin ku ai po akuzohet për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik. Kurse, mbrojtja kërkoi lirimin e tij.

    Fjalën përfundimtare, prokurorja Sadikaj e ka dorëzuar me shkrim dhe të njëjtën e ka elaboruar në seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Prokurorja tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, është vërtetuar se i akuzuari Tufa, kishte kryer veprën penale për të cilën po akuzohet.

    Ajo kërkoi që si rrethanë lehtësuese të merret fakti që i akuzuari Tufa nuk kishte të kaluar kriminale, ndërsa i propozoi gjykatës që të njëjtin ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

    Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Tufa, avokati Arbër Krasniqi, fjalën e tij përfundimtare e dorëzoi me shkrim dhe gjatë elaborimit të saj, tha se nuk kishte prova që i mbrojturi i tij kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

    Avokati Krasniqi i propozoi gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij, të shpall aktgjykim lirues.

    Në fund, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Alltën Murseli, kërkoi mendimin për caktimin e një seance, e cila parashihet me Kodin e ri të Procedurës Penale, me qëllim të çështjeve të rëndësishme të caktimit të dënimit, nëse të akuzuarit të shpallen fajtorë, por palët u deklaruan që nuk kishte nevojë.

    Më pas, gjykatësja Murseli e shpalli të përfunduar këtë shqyrtim gjyqësor, ndërsa shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë çështje penale do të bëhet më 19 prill 2023.

    Ndryshe, e akuzuar në këtë rast për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, ka qenë edhe Qëndresa Foniqi, e cila pasi që më 28 tetor 2022 e ka pranuar fajësinë, ishte dënuar me 4 mijë euro gjobë.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i pandehuri Petrit Tufa si pronar i kompanisë “Triomed.CO sh.p.k” me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik, në atë mënyrë që më 16 qershor 2022 në zyrën e prokurimit në Policinë e Kosovës në Prishtinë, ka dorëzuar ofertën për të marrë pjesë në aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizimi me materiale shpenzuese për vendin e ngjarjes” , ku me qëllim mashtrimi në mesin e dokumentacionit, ka dorëzuar dokumentin e falsifikuar “vërtetimi tatimor”, të 5 prillit 2022, i cili dokument me numër të njëjtë identifikues është nxjerrë më 27 janar 2022, me qëllim të aplikimit për kredi.

    Me këto veprime, Tufa po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas aktakuzës, e pandehura Qëndresa Foniqi, përgjegjëse e kontabilitetit në kompaninë “SHFK-SHPK”, e angazhuar nga kompania “Triomed.CO.shpk”, thuhet se ka falsifikuar dokumentin “vërtetimi tatimor”, i 5 prillit 2022, në atë mënyrë që vërtetimit tatimor i ka ndryshuar përmbajtjen nga vërtetimi tatimor për kredi, i 27 janarit 2022, në vërtetim tatimor për tender të datës 5 prill 2022, me qëllim që kompania “Triomed.CO.shpk” të aplikojë për tender në aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizimi me materiale shpenzuese për vendin e ngjarjes”.

    Me këto veprime, Foniqi ngarkohej se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 paragraf 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark