×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Prokuroria nis hetimet për tenderin gjysmë-milionësh – hesht komuna e Përparim Ramës

    Insajderi
    02 May 2023 - 15:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Komuna e Prishtinës ka heshtur kur është pyetur se a do të marrë masa ndaj kompanisë “Gërlica-Company”, pasi Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet mbi tenderin gjysmë-milionësh për ndërtimin e rrugës “Nekibe Kelmendi”.

    Gazeta Insajderi më 20 shtator të vitit të kaluar kishte raportuar ekskluzivisht se si Komuna e Përparim Ramës e ka shpërblyer me tender mbi gjysmë milion euro kompaninë “Gërlica-Company”, pavarësisht se pronari i saj, Mifail Vogliqi, ishte i dënuar për dokumente të falsifikuara, dhe sipas Ligjit të Prokurimit nuk mund të marrë kontrata publike.

    Për këtë aktivitet të prokurimit tashmë Prokuroria ka nisur hetime. Gazeta merr vesh që këto ditë, tetë muaj pas shkrimit ekskluziv të Insajderit janë intervistuar edhe dëshmitarë që kanë njohuri për mënyrën se si u dha ky tender dhe se a pati shkelje të Ligjit të Prokurimit.

    Siç merr vesh Gazeta Insajderi, kjo lëndë për hetim i është dhënë prokurores Fitore Sadiku.

    Pas këtij veprimi nga drejtësia, Gazeta Insajderi e ka pyetur Komunën e Prishtinë në ka marrë masa ose do të merr për kompaninë “Gërlica-Company”, por institucioni i udhëhequr nga Përparim Rama ende nuk ka kthyer përgjigje.

    Lexo edhe:

    Vitin e kaluar, Komuna e Prishtinës në aktivitetin e prokurimit të titulluar “Ndërtimi i rrugës Nekibe Kelmendi P 45 deri P-13” shpërbleu kompaninë “Gërlica-Company”. Vlera e tenderit ishte mbi gjysmë milioni euro.

    Pronari/aksionari i saj, Mifail Vogliqi, e ka marrë tenderin nga Zyra e Prokurimit të Prishtinës, pavarësisht se është i dënuar me burgim për keqpërdorim dhe mashtrim me prokurimin publik, kishte zbuluar Gazeta Insajderi.

    Sipas nenit 65 paragrafit 3 të Ligjit për Prokurim Publik: Operatori Ekonomik nuk ka të drejt të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e ndonjë vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave, dhënien e mitos, avantazheve ose aktiviteteve të ngjashme.

    Përparim Rama bënte fotografi me punëtorët e kompanisë “Gërlica”

    Më 15 shtator 2022 i pari i Prishtinës, Përparim Rama i kishte monitoruar punimet në ndërtimin e udhës që çon për te “Pallati i Drejtësisë”, punimet e së cilës sipas kontratës publike i kishte marrë përsipër “Gërlica-Company”.

    Përparim Rama, kryetari i Prishtinës duke inspektuar punimet tek rruga “Nekibe Kelmendi”

    Një ditë pas shkrepjes së këtyre fotografive, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi, e kishte pranuar një kërkesë për inicim të hetimeve kundër kompanisë ferizajase.

    Kjo për faktin se Albion Vogliqi, përfaqësuesi i autorizuar nga Mifail Vogliqi, pronari i “Gërlica-Company”, ka nënshkruar deklaratën nën betim duke mos e njoftuar komunën e Prishtinës, se shefi i i tij ishte shpallur fajtor për mashtrim të shtetit.

    Dyshohej se Vogliqi e kishte mashtruar komunën e Prishtinës dhe e kishte shkulur Ligjin e Prokurimit Publik kur nuk ka treguar për dënimin e pronarit të kompanisë.

    Operatori Ekonomik, në këtë rast “Gërlica-Company” dyshohet se ka paraqitur dokumente te rreme tek Autoriteti Kontraktues, komuna e Prishtinës. 

    Deklarata nën betim të cilën e ka nënshkruar Albion Vogliqi

    Gazeta Insajderi e kishte pyetur kompaninë pse në dosjen e tenderit nuk e ka paraqitur dokumentin e aktgjykimit të Vogliqit, por “Gërlica-Company” nuk kishte kthyer përgjigje.

    Për çka ishte dënuar Mifail Vogliqi?

    Më 2 gusht 2021, Gjykata Themelore në Gjilan e kishte shpallur fajtor, Mifail Vogliqin dhe e kishte dënuar me burgim.

    Sipas aktgjykimit të cilin e ka Gazeta Insajderi, ai ishte dënuar me 180 ditë burgim, ose gjashtë muaj vuajte të dënimit, të cilin më pas e ka paguar me gjobë.

    Kjo për shkak se Vogliqi kishte kryer veprën penale “keqpërdorim dhe mashtrim me prokurimin publik, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas vendimit të Gjykatës, “Vogliqi në cilësinë e pronarit të “Gërlica-Company” me vetëdije të plotë ka shkelur rregullat e Ligjit të Prokurimit Publik, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe ndikimit tek autoriteti kontraktues”.

    Mifail Vogliqi, pronari/aksionari i “Gërlica-Company”

    Konkretisht Vogliqi ka paraqitur dokumente të rreme, përkatësisht pa autorizimin e A. K., inxhinier i komunikacionit dhe të A.D., inxhinier i ndërtimtarisë, me të cilët kompania e tij nuk ka pasur kurrfarë para kontrate ose kontrate të punës, ka përdorur të dhënat e tyre personale.

    Siç janë përgatitjet e tyre profesionale për të plotësuar kriterin e dosjes së tenderit të shpallur nga komuna e Vitisë më 1 tetor 2020, lidhur me projektin e “ndërtimi i rrugës Viti-Kërbliq-Kaçanik, faza e dytë”.

    Lexo më shumë rreth rastit:

    Tenderët tjerë problematikë të komunës së Prishtinës

    “…kam me punu derisa ta bëjmë transformimin të cilin ju kam premtu, do të bëhet, do ta bëj Prishtinën me karakter unik në botë”, ky ishte premtimi që entuziazmoi masën kur Përparim Rama shpalli fitoren në zgjedhjet komunale të vjeshtës së 2021.

    Por, kaq muaj prej zgjedhjes së tij kryetar te shpenzimi i parasë publike nuk vërehet asgjë unike. Në shumicën e rasteve ka aplikuar metodën e tenderëve të negociuar, një veprim i zakonshëm për autoritetet komunale kosovare e ballkanike.

    Këto veprime bien në kundërshtim me premtimet e sjelljes së frymës londineze në Prishtine, të premtuar nga kryetari Rama, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ngjashëm pati ndodh edhe më 12 korrik 2022. Komuna e Prishtinës vendosi që të shmanget nga procedurat e hapura konkurruese në dy lote të një tenderi për sigurimin fizik. Përdori procedurën e negociuar.

    Tre ditë më pas, më 15 korrik – kontrata për sigurimin fizik të objekteve të Komunës së Prishtinës dhe objekteve te QKMF dhe QMU-se, iu dha dy kompanive.

    Me Lotin e parë është shpërbly Delta Security SH.P.K., i cili peshon 399 mijë e 531,82 euro, derisa të dytin e fitoi Security Code, dhe kap shumën e 264 mijë e 435 eurove, shkruan Gazeta Insajderi.

    Komuna e Prishtinës vendosi t’i shpërblejë këto dy kompani të sigurimit me kontratë për shërbimet e sigurimit fizik, pa njoftim për kontratë – do të thotë në mënyrë të negociuar, duke anashkaluar kompanitë e tjera të sigurimit që operojnë në Republikën e Kosovës.

    Kështu Zyra e Prokurimit të Ramës e ka shkelur Ligjin për Prokurimin Publik i cili thotë se “autoriteti kontraktues nuk do të ekzekutojë asnjë aspekt të aktivitetit të prokurimit në një mënyrë që redukton apo eliminon konkurrencën në mes të operatorëve ekonomikë ose që diskriminon në dëm ose në të mirë të një ose më shume operatorëve ekonomikë”.

    Në maj të 2022, Rama e shpalli fitues të tenderit të akuzuarin për prostitucion

    Në maj të vitit të kaluar, kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama, kishte përjashtuar nga procedurat tenderuese kompanitë e sigurimit fizikë, duke i ka dhënë tender një burimor kompanisë “Roja e Nderit”, pronë e Kushtrim Krasniqit.

    Krasniqi ishte arrestuar në prill të vitit të kaluar, nën dyshimet se është i përfshirë në prostitucion.

    Ky tender i Komunës së Prishtinës, peshonte në vlerën 84 mijë euro. Ndërsa Rama shpërbleu kompaninë e të arrestuarit për prostitucion përmes procedurës të negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Roja e Nderit” u rekomanduan nga Rama për kontratë më datën 16 maj 2022, ndërkaq dy ditë pas u nënshkrua kontrata.

    Kjo kompani për një periudhë dy mujore do të bënte sigurinë fizike të të gjitha objekteve komunale të kryeqytetit.

    Edhe 100 ditëshi i Ramës përshkohej me tenderë negociues

    Nga janari i vitit 2022, kur Rama e mori detyrën, deri në mars kur i kishte bërë 100 ditë punë, ai pati nënshkroi 20 tenderë, vlera e të cilëve shkonte 1.5 milionë euro.

    Në dhënien e disa prej tyre u ndoqën procedurat e hapura, derisa të tjerët u përshkaun me procedura të negociuara – pa publikim të njoftimit për kontratë.

    Mbi 252 mijë euro i ndau për terrenet e reja sportive në kryeqytet. Ato do t’i ndërtojë konsorciumi “Thesar” & “TINI”.

    52 mijë sosh u ndan edhe për rregullimin e fushave rekreative, të cilat veçse ekzistojnë. Puna për këtë iu besua kompanisë “MBB Construction”.

    Për rikonstruimin e rrugës “Ilir Konushevcit”, i dha një kontratë mbi 226 mijë euroshe operatorëve ekonomikë “Eskavatori” dhe “Best Company”.

    Kryetari, që la Londrën për Prishtinën, mendoi edhe për shtigjet e vrapimit e ecjes. Për një të tillë dhuroi mbi 10 mijë euro. Paratë u dhanë përmes një tenderi që ishte me procedurë të negociuar – pa publikim të njoftimit për kontratë.

    Tjerat kontrata që u nënshkruan kapin shifra më të vogla.

    8 mijë e 350 euro për renovimin e shtëpisë së djegur në Lebanë. 4 mijë e 487 për meremetet në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” e 990 për ato te objekti i zjarrfikësve.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark