12:30 - 28 Nëntor 2022

Për nder të Ditës së Flamurit në qendër të Prishtinës është hapur panairi tradicional “Blej shqip” 2022.

Prodhime vendore, ushqimore, e punime dore, janë ekspozuar në panairin tashmë tradicional që vizitohet nga dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë e të huaj dhe ka për synim promovimin e produkteve nga të gjitha trevat shqiptare.

Njëri nga prodhuesit e produkteve bujqësor nga Peja, i cili ka promovuar produktet e tij në këtë panair në kryeqytetin e vendit, Isa Muriqi theksoi se ka interesim nga qytetarët për prodhime vendore.

“Ne kemi prodhime vendore bujqësore, kryesisht arra, gështenja, fasule… Ka interesim prej qytetarëve, sepse të gjithë po e dinë rëndësinë e prodhimeve vendore – bio”, theksoi Muriqi.

Afaristja nga Llapi Nafije Ajeti, e cila prezanton produktet e perimeve, kryesisht turshi dhe ajvar, tha se është e kënaqur me shitjen e produkteve të saj, por jo edhe me përkrahjen e shtetit.

“Sot po prezantojmë në panair punën dhe mundin tonë, turshi, ajvar dhe të gjithë prodhimet kryesisht konservime. Ka interesim nga qytetarët, ka shitje. Ndërkohë, përkrahjen nga shteti e kemi zero, vetëm me mbështetje nga xhepi jonë dhe me investime tona… Me këtë veprimtari mbajmë familjen, kemi edhe punëtorë sezonal”, theksoi ajo.

Naxhije Kqiku nga Gjilani, e cila prezantoi punë dore në këtë panair, u bëri thirrje qytetarëve që të blejnë më shumë veshje kombëtare, që sipas saj, të mos humbin traditat tona shqiptare.

“Ne po prezantojmë veshje kombëtare, interesim ka. Populli nuk duhet t’i humbë traditat tona. Me këtë veprimtari ne mbajmë familje. Marrim pjesë nëpër panaire, ka interesim nga qytetarët për këto veshje për ta ruajtur traditën tonë që të mos humbim kombin tonë”, tha ajo.

Ndërsa, blerësit u shprehën të kënaqur me prodhimet vendore dhe bënë thirrje që të konsumohen sa më shumë produkte vendore për zhvillimin ekonomik të vendit.

Qytetari Adnan Zeneli tha se çdo blerje ndihmon prodhuesit vendor, dhe kështu sipas tij, ulet importi i mallrave të huaja.

“Gjithmonë duhet pasur këso lloj aktivitetesh, sidomos kur ka festa, sepse këto prodhime janë me vlerë… Secili qytetar e dinë që duhet blerë produkte vendore. Çdo blerje ndihmon një familje në këtë panair, ku kryesisht janë gra që vetë punojnë, të cilat edhe i mbajnë familjet. Panairi qenka i furnizuar me veshje, pemë e perime, të cilat kultivohen në vendin tonë”, tha Zeneli.

Edhe blerësi Xhevdet Bekaj porositi qytetarët që të konsumojnë sa më shumë produkte vendore për të zhvilluar ekonominë e vendit.

“Duhet konsumuar sa më tepër prodhimet vendore, sepse prej importit nuk bën. Kështu që duhet të konsumohen prodhimet vendore për të zhvilluar ekonominë tonë”, theksoi Bekaj.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama për hapjen e këtij panairi ka shkruar se është e rëndësishme që gjeneratat e reja të mos harrojnë vlerat e traditat tona kombëtare dhe t’i kultivojnë ato.

Panairi, i organizuar nga komuna e Prishtinës, mund ta vizitojnë qytetarët deri nesër në sheshin “Nënë Tereza”.

Tags: