×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Pronari i lokalit ‘Swiss’ në Prizren njëri nga të arrestuarit në operacionin e Antidrogës

    Insajderi
    28 March 2024 - 20:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka realizuar një aksion policor të asistuar nga njësitet relevante policore, i cili u zhvillua në disa lokacione në Prizren dhe Gjakovë. Rasti i koduar si ‘Swiss’ rezultoi me identifikimin e disa të dyshuarve për shitblerje dhe shpërndarje të drogës. Dy persona u arrestuan sot, ndërsa njëri ndodhet akoma në arrati.

    Tre personat që ishin cak i Antidrogës janë Kushtrim Bytyqi, Enis Shtavica dhe Sefë Fetoshi. Ky i fundit, pronar i ‘Velunia Club’ në Prizren ndodhet akoma në arrati, ndërsa dy të tjerët janë ndaluar.

    Siç mëson Sinjali, Kushtrim Bytyqi është pronar i lokalit ‘Swiss’ në Prizren, ku po ashtu është kryer bastisje gjatë ditës së sotme.

    Bytyqi edhe më parë është futur në telashe, ku bashkë me vëllain e tij dyshohej se kanë rrahur një person, rast ky për të cilin Sinjali ka raportuar.

    Pas kontrolleve të kryera gjatë ditës së sotme, Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se janë konfiskuar rreth gjysmë kilogrami substancë narkotike e llojit kokainë, një sasi e marihuanës, armë zjarri, si dhe një automjet.

    Sipas informacioneve të para, aksioni është kryer edhe në ‘Velunia Club’, pronën e të dyshuarit Fetoshi, si dhe në shtëpinë e të dyshuarit Shtavica në Gjakovë.

    Në një përgjigje për Sinjalin nga Policia e kanë konfirmuar se aksioni është realizuar në disa lokacione.

    “Mund të konfirmojmë se, bazuar në urdhëresën e organeve të drejtësisë, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, e asistuar nga njësitet relevante policore kanë realizuar operacion policor në disa lokacione në Prizren dhe Gjakovë.

    Operacioni policor ka rezultuar me arrestim të personave të dyshuar, me konfiskim të narkotikëve dhe gjësendeve tjera, për të cilat do të njoftoheni pas përfundimit dhe kompletimit të rastit.

    Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.”

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark