×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Punëtorët e Trepçës e KEK-ut në hall me ekzekutimin e pagave, kërkesat e tyre hasin në “vesh të shurdhër”

    Insajderi
    23 August 2023 - 12:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Rimëkëmbje e “Trepçës” dhe KEK-ut ishin njëra ndër zotimet parazgjedhore të kryeministrit, Albin Kurti dhe vartësve të tij. Ka kaluar më shumë se gjysma e mandatit të Qeverisjes Kurti, e punëtorët e këtyre ndërmarrjeve vazhdojnë që mes tjerash të preukupohen edhe për pagat e tyre.

    12 korrik të këtij viti punëtorët e Trepçës kanë hyrë në grevë, pasi atyre nuk u janë ekzekutuar pagat e muajit qershor.

    Sipas kreut të sindikatës së punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Januzi, greva ka filluar nga vet punëtorët e ndërrimit të parë. E, që nga mesi i të njejtës ditë janë realizuar pagat me 50 për qind, pra gjysma e shumës.

    Ndërkaq pagën e plotë për muajin korrik punëtorët e kësaj ndërmarrje e kanë marrë tek me datë 17 gusht.

    Ndonëse minatorët kishin hyrë në grevë për të kërkuar atë që i takon me ligj, ata janë ndëshkuar për një gjë të tillë.

    Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Trepçës, Enis Abdurrahmani, ka bërë të ditur se 151 minatorë janë ndëshkuar pasi, sipas tij, kanë sabotuar punën.

    “Masa fillestare është marrë ndaj 151 punëtorëve të cilët kanë bojkotuar punën, dhe një kalkulim i përafërt i masës financiare që do të merret ndaj tyre do të jetë rreth 176 euro për një punëtor, për këto katër ditë të bojkotit të punës”, ka thënë Abdurrahmani.

    Poashtu kjo korporatë për mos dhënien e pagave për praktikantë ishte gjobitur me 1 mijë euro në maj të këtij viti.

    Gjoba nga Inspektorati i Punës në Ministrinë e Punës, Financave dhe Transfereve, kishte ardhur pasi njëri nga praktikantët Arsim Musa kishte bërë ankesë, lidhur me mospagesën prej 100 eurove për 60 praktikantë që ishin certifikuar më 30 dhjetor 2022, dhe nga 200 euro për 30 praktikantë të certifikuar në janar të vitit 2023.

    Ankesa në lidhje me pagat kanë edhe punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës.

    Sipas, kryetarit të “Sindikata e Re Korporata Energjetike e Kosovës”, Nexhat Llumnica ndonës Gjykata ka vendosur që punëtorët të kompensohen për ditët e punës gjatë ditëve të fundjavës, një gjë e tillë nuk është duke ndodhur.

    “Punëtorëve me ndërrime nuk iu paguhet puna në fundjavë. Edhe pse 1 mijë e 317 punëtorë e kanë fituar lëndën në të gjitha gjykatat. Menaxhmenti i KEK-ut, nuk po i paguan dhe se për borxhin po e pret përmbarimin e këtyre mjeteve që kjo i kushton KEK-ut. Dhe, ne e quajmë këtë keqmenaxhim”, ka shtuar ai.

    Kjo ka qenë edhe njëra ndër kërkesat në protestën e mbajtur në mars të këtij viti. Përveç respektimit të vendimit të Gjykatës, punëtorët kanë kërkuar edhe ngritje page, më shumë siguri në punë dhe pagimin e shujtave të ushqimit. Por deri më sot nuk është bërë asnjë hap në realizimin e kërkesave të tyre.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark