×
  • Lajme
  • Lajme

    Pushteti i Kurtit ia siguron “bukën e mot-motit” firmës “Contour Global”, ia ndanë 21 milionë euro

    Insajderi
    10 July 2024 - 22:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qeveria e Kurtit sot me vendimin e marrë në mbledhjen e Qeverisë Kurti ia siguroi “bukën e mot-motit” firmës “Contour Global”, duke ia ndarë 21 milionë euro.

    Sot u morrë vendimi për realizimin e pagesës së dëmshpërblimit ndaj kompanisë amerikane ‘Contour Global’ pasi humbi arbitrazhin në tetor të vitit 2023. Ministri i Financave, Hekuran Murati, sot në mbledhjen e Qeverisë, propozoi vendimin për ndarjen e mjeteve në shumë prej 21 milionë euro për pagesën.

    Pikërisht kjo, ndodhi në ditën kur Kurti me Ministrin Peci kanë zhvilluar vizitë tek një fermer në Bubavec të Malishevës.

    Kurti e Peci u shfaqën të veshur me bluza me mbishkrimin “Për bukën e motmotit”.

    “U ba buka e mot-motit”, shkruajti ministri Peci krahas fotografisë.

    Në fund të vitit 2017, ‘Contour Global’ kishte nënshkruar marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re.

    Në rast të mospërfundimit të këtyre procedurave në një afat të caktuar kohor, me kontratë ishin paraparë ndëshkime financiare për palën, e cila nuk i përmbushë obligimet.

    Kësisoj, pas zvarritjes së kontratës dhe kundërshtimit nga ambientalistët, kompania amerikane u tërhoq nga ndërtimi i termocentralit në muajin mars të vitit 2020. Disa ditë më vonë, njoftoi se e ka dërguar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për mosrespektim të kontratës dhe e ka fituar rastin.

    Gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se projekti i nuk ka qenë i dobishëm për vendin që kur ishte planifikuar.

    “Siç kemi thënë vite më parë ashtu edhe rezultoi. Ky projekt as s’ka qenë i ideuar të realizohet, as s’ka qenë në përmbajtje i dobishëm për vendin tonë. Fatkeqësisht, ndërprerja e qeverisë tonë në pranverën e vitit 2020 dhe ardhja e një qeverie antikushtetuese la zbrazëti për ta trajtuar këtë çështje dhe për t’u siguruar se Kosova të mos kishte pasoja të mëdha. Me gjithë pasojat, është shumë më mire që projekti i tillë nuk është realizuar sepse një mbrapshti e tillë nuk ka vazhduar, por ka përfunduar”, ka thënë ai në mbledhje të Qeverisë.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka treguar se marrëveshja mes Kosovës dhe “Contour Globalit” ishte nënshkruar në dhjetor të vitit 2017, pavarësisht paralajmërimeve se një kontratë e tillë nuk do duhej të nënshkruhej.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark