Nasser Al-Khelaifi e ka përjetuar me intensitet ndeshjen e Paris Saint-Germain kundër Borussia Dortmundit në Parc des Princes të martën mbrëma.
Presidenti i skuadrës parisiene ka parë se si kalonin minutat dhe skuadra e tij jo vetëm që nuk arriti të barazonte rezultatin, por ishte rivali që rriti avantazhin e arritur në ndeshjen e parë.
Me fishkëllimën e fundit, zhgënjimi pushtoi liderin e PSG- së si dhe mbi 46 mijë tifozët francezë që ndoqën drejtpërdrejt ndeshjen.
Tashmë në zonën mikse, Al-Khelaifi foli për mediat dhe aty trishtimi i tij u kthye në zemërim kur u pyet për të ardhmen e Luis Enrique.
“Por, çfarë pyetje është kjo. Ju nuk kuptoni futboll apo çfarë”, ka thënë presidenti i PSG-së, i cili më pas foli për eliminimin e skuadrës së tij.
“Jemi shumë të zhgënjyer me rezultatin. Jemi të trishtuar, meritonim më shumë. Goditëm shtyllat katër herë, dy herë javën e kaluar… Topi nuk donte të hynte. Lojtarët dhe trajneri i thanë: “Urime Dortmundit”. Ne merituam më shumë. Është një lojë e vështirë”. /Telegrafi/