Ministria e Punëve të Brendshme, që drejtohet nga Xhelal Sveçla, ka vendosur që ta ndërrojë komplet sistemin e alarmit në objektin ku i ka zyrat shefi i tij, Albin Kurti. Për këtë punë janë planifikuar të shpenzohen afro 70 mijë euro.
Sistemi i alarmit të zjarrit në objektin e Qeverisë së Kosovës, aty ku i ka zyrat edhe kryeministri Albin Kurti, do të ndërrohen komplet.
Këtë vendim e ka marrë Ministria e Punëve të Brendshme, e cila në krye ka Xhelal Sveçlën, e cila tashmë ka hapur edhe një tender afro 70 mijë euro.
Ky institucion ka ngritur dyshime tek alarmet ekzistuese, duke thënë se ato kanë probleme thelbësore.
“Sistemi ekzistues i lajmëruesve – alarmit të zjarrit që e posedojmë në ndërtesën e Kryeministrisë është sistem që ka problem thelbësor në bazë të shumë konstatimeve dhe raporteve. Ky sistem nuk mund të funksionalizohet që të ketë performancë pune të rregullt me standardet që kërkohen për siguri nga paraqitja e zjarrit në hapësirat punuese të ndërtesës”, thuhet në arsyetimin që është dhënë tek shpallja e tenderit.
Në dokument thuhet se kjo ndërtesë është e rëndësisë së veçantë dhe për këtë duhet të shtohet siguria.
Në tender kërkohet që alarment të jenë me performancë të lartë dhe të cilësisë së mirë.
“Për shkak se kemi të bëjmë me ndërtesë të rëndësisë së veçantë dhe me përgjegjësi, kërkojmë nga ofertuesit të kenë parasysh ofrimin e produkteve të tyre d.m.th të jenë pajisje të cilësisë shumë të lartë, me perforrnancë superlative duke u bazuar në specifikat teknike nga tabela e lartcekur. Sistemet apo pajisjet që nuk i përmbushin specifikat teknike të paraqitura në tabelën e lartcekur nuk do të merren parasysh për procedurë të ekzarninimit të mëtutjeshëm. Kërkojmë nga të gjithë ofertuesit të përgatisin ofertë me solucionin më të mirë dhe me produkte që posedojnë certifikatat dhe standardet për alarme të lajmërimit të zjarrit”.
Sistemi i alarmit që do të vendoset në Qeverinë e Kosovës duhet të ketë jo më pak se një vit garancion.
“Në ofertë të paraqitet qartë emri dhe modeli i secilës pajisje të sistemit. Garancioni në instalime dhe pajisje minimum 1 vit nga data e lëshimit në punë. Manuali i përdorimit të jetë edhe në gjuhën shqipe për manipuluesit-tekniket e sistemit. Të punohen të gjitha vizatimet – skicat e kateve dhe zyreve detalisht për vendndodhjen e pajisjeve të alarmit të zjarrit (për sistemin e ri 3 kopje identike)”.
Ministria e Punëve të Brendshme, që drejtohet nga Xhelal Sveçla, ia ka bërë me dije edhe kompanisë fituese se nuk mund të prishet qetësia dhe puna në objektin e shefit të tij dhe për këtë duhet të punohet edhe gjatë vikendit.
“Kompanitë ofertuese ta kenë parasysh që ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës përgjatë ditëve të punës mund të ketë agjenda të ndryshme dhe punët mund të ndërpriten për kate të ndryshme apo zyre të veçanta. Prandaj, kompanitë ofertuese duhet të llogarisin menaxhimin e situatave të tilla duke vazhduar me punë në hapësirat e lira përbrenda ndërtesës (sipas nevojës edhe ditëve të vikendit)”, thuhet në dokumentin e shpallur.
Po ashtu, është cekur se duhet të bëhet demontimi komplet i sistemit aktual.
“Demontimi i komplet i sistemit të alarmit ekzistues. Demontimi i centrales ekzistuese komplet. Demontimi i lajmëruesve të zjarrit optik dhe të tymit. Demontimi i lajmëruesve të zjarrit termik. Demontimi i lajmëruesve manual të zjarrit. Demontimi i burive (sirenave) dhe moduleve”.
Në tenderin e shpallur “Furnizimi dhe montimi i sistemit të alarmit të zjarrit në objektin e Kryeministrisë-ZKM”, do të blihen 13 artikuj me 783 copë të ndryshme.
“Furnizim me 13 artikuj të ndryshëm me 783 copë. Vlera e parashikuar e kontratës: 69 960,00 euro. Produktet duhet të jenë sipas specifikimeve të kërkuara nëpër të gjitha pozicionet ose ekuivalente. Të gjitha materialet e përdorura duhet të jenë të klasit të parë, mostrat paraprakisht duhet të aprovohen nga organi mbikëqyrës. Në rastet e demolimit, të gjitha mbeturinat të dërgohen në deponi”, thuhet aty.
Sipas ministrisë së Sveçlës afati i fundit për pranim të tenderëve është data 3 nëntor.