×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    Qendra e trajnimeve të KEK-ut: është e vetmja në rajon që ofron trajnime për makineri të rënda

    Insajderi
    03 October 2018 - 13:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qendra e Trajnimeve në kuadër të Korporatës energjetike të Kosovës është e vetmja qendër në rajon në të cilën kandidatët potencial kanë mundësinë të trajnohen në mënyrë profesionale dhe të pajisen me licenca të njohura ndërkombëtare.

    Të gjithë kandidatët e interesuar për këtë trajnim profesional duhet të kalojnë nëpër tri faza. Trajnimi fillon me pjesën teorike, vazhdon me simulatorë që janë të vetmit në rajon dhe përfundon me pjesën praktike në teren ku po ashtu kanë në dispozicion të gjitha makineritë e rënda në të cilat kandidatët kanë mundësinë të kryejnë praktikën në teren deri sa trajnerët të sigurohen se kandidatët kanë fituar njohuri të mjaftueshme si në aspektin e përdorimit të makinerive po ashtu edhe në aspektin e sigurisë.

    Me kushtet e Qendrës, ligjëruesit dhe modulet e trajnimeve të sofistikuara në këtë Qendër është shprehur mjaft i kënaqur, Shukri Pllana, i cili po ndjekë trajnimet në këtë Qendër.

    Pllana ka treguar se koha më e madhe sa i përket trajnimit është mënyra praktike. Kjo sipas tij ka një rendësi të madhe sepse  janë makina të të gjitha niveleve dhe në gjendje shumë të mirë.

    “Gjatë kësaj kohe sa realizohet puna praktike, përveç tjerash mësohen nivelet e larta të sigurisë në punë dhe kontrollin që duhet bërë këtyre makinerive para dhe gjatë punimeve. Unë mendoj se të gjitha kompanitë duhet të sjellin punëtorët e tyre në këtë Qendër sepse kjo përveç avansimit të punëtorëve e rrit edhe nivelin e sigurisë si dhe ruajtjen e makinerive të rënda  të cilat kanë kosto të larta. Kur je i trajnuar mirë dhe je profesionist në këto zanate atëherë edhe rezultatet në punë janë shumë më të mira”, thotë Pllana.

    Nga ana tjetër, trajneri Elmi Konjusha tregon përparësitë e trajnimit për ata të cilët  vendosin të mësojnë përdorimin e makinerive të rënda.

    Pjesa praktike e kandidatëve fillestar fillon me simulatorët që i përdorim këtu, e që janë të vetmit në Kosovë dhe në rajon.

    “Simulatorët janë pajisje të cilat në njëfarë mënyre janë makina virtuale në të cilat trajnohen kandidatët. Por nuk dallojnë asgjë nga makineritë reale sa i përket mekanizmit. Por me këto makineri simuluese largohet rreziku për ta dëmtuar makinën apo për t’i dëmtuar personat tjerë që janë për rreth”, ka treguar Konjusha.

    Ndërsa, udhëheqësi i Qendrës së Trajnimeve të KEK-ut, Safet Ymeri ka treguar se po ka interesim të shtuar të kompanive dhe kandidatëve për të ndjekur trajnime në këto lëmi të cilat i ofron Qendra.

    Ai ka thënë se deri me tani kanë trajnuar me qindra punëtorë të Korporatës, por edhe të kompanive dhe institucioneve të tjera.

    “Kemi trajnuar 15 kandidat të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Prej tyre, tetë kanë marrë certifikata ndërkombëtare nga kompania Amerikane HEVICERT, ndërsa shtatë prej tyre kanë marrë certifikata të Qendrës”, ka thënë Ymeri.

    Ai ka treguar se kandidatët të cilët aplikojnë për trajnimin e makinerive të rënda preferohet me qenë të moshës madhore si dhe me qenë të shëndetshëm për shkak se këto janë  trajnime specifike dhe lypin shkathtësi të veçanta.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark