×
  • Lajme
  • Analiza

    Qytetarët denoncojnë pushtetarët e PDK-së në Ferizaj, dërgojnë foto nga asfalti i shkatërruar

    Insajderi
    13 July 2022 - 15:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Vuajtjeve të fshatit Tërn, Bablak dhe Lobovc sot po u vie fundi”, kështu pohonin përfaqësuesit e komunës së udhëhequr nga Agim Aliu një vit më parë rreth asfaltimit të këtyre rrugëve.

    Infrastruktura në qytete e fshatëra të Kosovës jo rrallë ka qenë prioritet i udheheqësve të partive të ndryshme nëpër komuna. Por, edhe ankesat nga qytetarët nuk kanë qenë të pakëta, shkruan Insajderi.

    Vuajtjet duket se nuk kanë mbaruar për banorët e këtyre fshatërave, pasi rruga që lidhë dy magjistralet, Ferizaj-Prishtinë dhe Ferizaj-Shtime, një vit pas asfaltimit është shkatërruar tërësisht.

    Komuna e cila udhëhiqet nga Agim Aliu i PDK-së duket se i është larguar përgjegjësisë rreth rrugëve të këtyre fshatërave, pas mandatit të dytë të vet Aliut.

    Ky i fundit dikur thirrej si kryetar që kalon pritshmëritë e qytetarëve për nga realizimi i premtimeve.

    Madje komuna e Ferizajt  në këtë projekt kishte investuar  500 mijë euro, ndërsa atëkohë premtonin se investimet në këtë fshat nuk do të përfundojnë  me kaq.

    “Vuajtjeve të fshatit Tërn, Bablak dhe Lobovc sot po u vije fundi me asfaltimin e këtij segmenti  të rrugës. Është një projekt që është filluar  shumë kohë më parë  dhe fatmirësisht  sot po përfundohet, po asfaltohet edhe segmenti i fundit  Bablak-Babush”, kishte thënë një vit më parë Drejtori I Infrastrukturës, Arbër Bytyqi.

    Kjo ishte gjendja e rrugës në 2021-tën, por njejtë nuk është tani.

    Nga disa fotografi të dërguara nga lexuesit e Insajderit shihet gjendja aktuale e rrugës tek fshatërat, Bablak, Babush dhe Tërn.

    Aliu i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës e ka marrë mandatin e parë në zgjedhjet komunale të vitit 2019.

    Pas raportimit të Insajderit, reagon komuna e Ferizajt

    Pas publikimit të artikullit me fotografitë e dërguara nga qytetarë të fshatërave të lartpermendura, Komuna e Ferizajt ka reaguar në lidhje me këtë publikim.

    Sipas shefit të kabinetit të Agim Aliut, Albion Sherifi, fotografitë e dërguara nga qytetarët janë të vitit 2018-të, në kohën kur rruga ishte e paasfaltuar.

    ”Fotografitë e përdorura në këtë artikull, janë fotografi të para vitit 2018, kur rruga në fshatin Tërrn dhe fshatrat përskaj, ishte e paasfaltuar, e parregulluar dhe rrjedhimisht kjo përbën një të pavërtetë”, thuhet në reagimin e komunës.

    Sipas Sherifit, mediumi do duhej të tentonte për një përgjigjie nga komuna, diçka të cilën Insajderi e bëri kur telefonoj disa herë kryetarin e komunës, por i njejti nuk kishte çasje.

    Sherifi, ka dërguar gjithashtu fotografitë e rrugës për të cilën qytetarët shprehën pakënaqësi në adresën e mediumit.

    Sipas zyrtarit komunal, kjo është gjendja e rrugës tash:

    Reagimi i plotë i komunës:

    Përshëndetje të nderuar!

    Uroj të jeni mirë me shëndet dhe punët po ju ecin mbarë. Arsyeja për të cilën po ju drejtohemi përmes kësaj shkrese, është artikulli i publikuar nga medium juaj, dje më datë 13.07.2022, me titull: “Qytetarët denoncojnë pushtetarët e PDK-së në Ferizaj, dërgojnë foto nga asfalti i shkatërruar”, (https://insajderi.org/qytetaret-denoncojne-pushtetaret-e-pdk-se-ne-ferizaj-dergojne-foto-nga-asfalti-i-shkaterruar/?fbclid=IwAR0UU_A07O4Bg08nsiNLoaq8n9zw5eTIO8SMlonCPthEKPZJvdK_DMUKXko&fs=e&s=cl)  i cili artikull në vetvete përmban pasaktësi të shumta e tendencë të hapur për të paraqitur të pavërteta si të vërteta të denoncuara nga qytetarët.

    Së pari, titulli i vet artikullit, është tendencioz dhe i pasaktë, sepse nuk mund të flitet për pushtetarë të cilësdo parti, por për zyrtarë komunale apo drejtues të Komunës së Ferizajt, institucion ky që përfaqëson gjithë qytetarët dhe jo një forcë të vetme politike.

    Së dyti, fotografitë e përdorura në këtë artikull, janë fotografi të para vitit 2018, kur rruga në fshatin Tërrn dhe fshatrat përskaj, ishte e paasfaltuar, e parregulluar dhe rrjedhimisht kjo përbën një të pavërtetë, të cilën mediumi juaj, fare nuk merr mundin ta verifikoj, porse e publikon si të tillë, pa marr të paktën anën tjetër të informacionit, në këtë rast, informacionin zyrtar nga Komuna e Ferizajt apo nga udhëheqja e fshatit Tërrn në Ferizaj.

    Së treti, ju vëmë në dijeni se ky projekt, është projekt që është zbatuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe nuk i takon nivelit lokal, ndryshe nga tendenca për të njollosur pushtetin lokal, që shpreh qartë ky artikull.

    E për të dëshmuar sa më sipër, ju bashkëngjesim fotografitë pikërisht nga zonat ku ju keni prezantuar fotografitë, që dëshmojnë se kjo rrugë është e asfaltuar dhe jo sipas përshkrimit të artikullit të lartpërmendur.  Sa më sipër, këtë të dhënë përveç nga Komuna e Ferizajt, e dëshmon edhe udhëheqja e fshatit Tërrn në Komunën e Ferizajt, andaj për hir të korrektësisë, ju drejtohemi që pas shqyrtimit të kësaj shkrese, të largoni këtë artikull nga mediumi juaj, si dhe të paraqisni kërkim faljen për të pavërtetën e lansuar, në mediumin tuaj, që megjithatë e çmojmë për punën e deritanishme dhe bashkëpunimin karshi Komunës së Ferizajt.

    Mbesim me shpresë për reagimin tuaj të shpejt.

    Me respekt,

    Albion SHERIFI

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark