×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Qytetari burgoset për aksident me lëndime, djali i biznesmenit në liri për aksidentin me pasojë vdekjen

    Insajderi
    15 December 2023 - 13:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Brenda vetëm një muaji sistemi prokurorial i Kosovës ka shpërfaqur se sa zemergjerë është kur trajton raste ku përfshihen njerëzit e fuqishëm. Në dy raste të aksidenteve ka marrë vendime krejtësisht të ndryshme. I ka caktuar paraburgimin një qytetari për përfshirje në aksident që ka pasë për pasojë vetëm lëndime trupore. Por, ndryshe ka vendosur në aksidentin me fatalitet, në të cilën ka vdekur një profesor. E ka lënë të lirë të dyshuarin. Njeriu që shkaktoi aksidentin me fatalitet është djali i një biznesmeni të fuqishëm.

    Profesori Ferhat Bejtullahi, mbrëmjen e 2 dhjetorit, po bënte si zakonisht rrugën nga vendi i punës së tij, kolegji UBT, për në banesën e tij.

    Por, në rrugën “Bill Klinton”, afër vendit të tij të punës një shofer i papërgjegjshëm e shtypi me veturë. Bejtullahu, një profesor i respektuar në lëmin e tij, vdiq pak orë më vonë nga plagët e marra nga ky aksident.

    Çdokush do të mendonte se shoferi i papërgjegjshëm tashmë është në qendrën e paraburgimit, duke vuajtur 30 ditëshin e parë të ndëshkimit për krimin e bërë. Por, kjo nuk ka ndodhur.

    Njeriu që e mbyti profesorin Bejtullahu rastisi të jetë djali i një biznesmeni të fuqishëm. I një multimilioneri.

    Nuk vuajti asnjë natë në burg. është i lirë që nga nata kur kreu krimin. Që nga 3 dhjetori.

    Vrasësi i profesorit është Vullnet Gashi. Është djali i biznesmenit Burim Gashi.

    Biznesmeni Burim Gashi është i njohur për lidhjet e tij të fuqishme me politikën e me grupe të fuqishme të interesit. Ka përfituar një varg benefitesh nga fondet publike. Është pronar i firmës “Agro Llapi”.

    Prokuroria për djalin e biznesmenit që shkeli për vdekje profesorin: Nuk plotësohen kushtet për paraburgim

    Për rastin e djalit të biznesmenit, Prokuroria Themelore në Prishtinë pas insistimit të vazhdueshëm dha një arsyetim përse nuk i caktoi masën e paraburgimit prej 1 muaj.

    Sipas prokurorit të rastit nuk ishin plotësuar “kushtet” që ai të qëndronte në burg për veprën penale.

    Lidhur me pyetjet e juaja, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit me kujdes ka vlerësuar rrethanat e kryerjes se veprës penale dhe pasi ka analizuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, ka vlerësuar se në rastin konkret nuk plotësohen këto kushte“.

    Nga prokuroria potencuar se hetimet janë duke vazhduar në drejtim të veprës penale “rrezikim i trafikut publik me fatalitet”.

    Përgjegjësia penale e të dyshuarit do të vërtetohet saktësisht gjatë hetimit, pasi duke pasur parasysh vendin ku ka ndodhur rasti, vepra e rrezikimit të trafikut publik kryhet nga pakujdesia dhe në kryerjen e tyre mund të kontribuojnë të gjithë pjesëmarrësit në trafik, andaj edhe në këtë çështje penale, Prokurori i Shtetit ka siguruar të gjitha provat në vendin e ngjarjes, është intervistuar i dyshuari në stacionin policor dhe është hapur rast në drejtim të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik” (me fatalitet)“.

    Prokurori i Shtetit gjatë analizimit të çdo rasti veç e veç, i shqyrton e analizon kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit në këtë rast, siç janë: rreziku i arratisjes; ndikimi në të dëmtuar, dëshmitarë apo bashkëpjesëmarrës; përsëritja e veprës penale etj., duke i argumentuar në mënyrë konkrete siç kërkon Kodi i Procedurës Penale dhe Konventat ndërkombëtare“, thuhet në përgjigjen e tyre për Insajderin.

    Standardet e dyfishta të prokurorisë

    Edhe pse djali i biznesmenit shkeli për vdekje me automjetin e tij profesorin, ai nuk mbajti asnjë ditë burg, u lirua menjëherë. Por, ndryshe veproi prokuroria në rastin e një qytetari të thjeshtë, i cili me veturën e tij godit një këmbësor duke i shkaktuar lëndime.

    Me urdhër të prokurorit, shoferi në këtë rast u dërgua direkt në mbajtje.

    “Fsh. Bresje, Fushë Kosovë 10.12.2023, 17:42. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti derisa ishte duke e drejtuar veturën e tij dyshohet se nga pakujdesia ka goditur viktimën mashkull kosovar (këmbësor). Përveç dëmeve materiale lëndime të rënda trupore ka pësuar viktima, e cila është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, Prishtinë, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, thuhet në raportin 24 orësh të policisë përcjell Insajderi.

    Raporti i Policisë në rastin e djalit të biznesmenit Gashi

    Policia përmes raportit 24 orësh konfirmonte se viktima, në këtë rast profesori Bejtullahu kishte ndërruar jetë në QKUK.

    Teksa potencohej se i dyshuari, djali i biznesmenit ishte liruar menjëherë pas intervistimit.

    “I dyshuari mashkull kosovar duke drejtuar automjetin e tij dyshohet se nga pakujdesia ka goditur këmbësorin mashkull kosovar duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Viktima pasi ka arritur në QKUK, duke mos i përballuar lëndimeve të marra ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion”, thuhej në raport.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark