Një qytezë mahnitëse që duket si një destinacion i përkryer pushimesh, është mbiquajtur “djallëzore” nga banorët vendas, të cilët as emrin nuk ia përmendin pasi besojnë se është i mallkuar.
Colobraro në Itali, besohet se është e mallkuar prej viteve 1940, teksa banorët tregojnë për gjëra të çuditshme që kanë ndodhur, të cilat nuk mund të shpjegohen as me shkencë as me magji.
Qyteza në kodrat jugore të Italisë ruan sekrete të frikshme sa dhe vendasit i referohen si “fshati pa emër”.
Historitë nisën të qarkullonin pas viteve 1940, kur ish kryebashkiaku Biagio Virgilio tha në një takim të këshillit se “nëse nuk them të vërtetën, ky shandelier rëntë përtokë”.
Çuditërisht brenda disa sekondave shandelieri gjigand i varur nga tavani ra në kokën e kryebashkiakut dhe banorët besojnë se ai lëshoi një mallkim për vendin.
Fshatarët e besojnë mallkimin dhe tregojnë se një numër tragjedish të pashpjegueshme kanë ndodhur prej atëherë.
Fama e keqe është përhapur gjerë, aq sa banorët thonë se në vendet fqinje, njerëzit u largohen kur mësojnë se dikush është nga Colobraro.
Edhe vetë emri i qytezës ka një origjinë të tmerrshme. Sipas raportimeve ai vjen nga fjala ‘coluber’, që do të thotë ‘gjarpër’ dhe disa thonë se aty është vendi ku “jetojnë prezenca të liga”.
Colobraro përflitet gjithashtu si vendi i grave që kryejnë “masciare”, pra të mallkimeve, magjisë dhe të syrit të keq.
Ato shpeshherë trajtoheshin dhe si shëruese, pasi këshillonin njerëz nga qytetet fqinje për kurimin e dhimbjeve të kokës apo heqjes së mallkimit.
Në kurat e tyre ato përdorin një përzierje kripe, qymyri e uji, të cilën e fërkojnë në ballin e personit të prekur, dhe më pas ujin e hedhin në rrugicat e qytetit.
Por megjithse këto gra nuk ekzistojnë më, shumë tremben se fuqitë e tyre ruajnë ende efektin.
Ka gjithashtu histori për gjera të çuditshme që kanë ndodhur, si fëmijë të lindur me dy zemra ose tre mushkëri.
Aksidente të frikshme dhe rrëshkitje dheu kanë prekur Colobraro, por fatkeqësitë thuhet se prekin vetëm vizitorët.
Banorja vendase Elena di Napoli thotë: “Sigurisht duke pasur parasysh origjinën time, unë jam imune ndaj këtyre fenomeneve. Këto gjëra i ndodhin vetëm njerëzve që vijnë këtu për herë të parë dhe që besojnë te fatkeqësia”.
Por të tjerë i hedhin poshtë idetë dhe insistojnë se shandelieri ra në kokën e Biagio Virgilios sepse nuk ishte montuar mirë.
Vandasi Matteo tha për BBC: “Don Biagio Virgilio? Sigurisht që e mbaj mend! Fatkeqësitë i kanë sajuar njerëzit. Kur dikujt që vjen në fshat i bie goma apo i prishet motori ata fajësojnë fshatin”.
Por kjo përsëri nuk i ndalon banorët e Colobraro të shfrytëzojnë thashethemet.
Çdo vit ata mbajnë një shfaqje në rrugë për të celebruar trashëgiminë e frikshme të qytetit. Ceremonia e mbajtur zakonisht në gusht, përbëhet nga shtriga, gra shëruese ‘masciare’ dhe njerëz-ujk.