Në një intervistë dhënë për gazetën serbe “Politika”, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pretendon se “Prishtina vazhdimisht po përpiqet të zvogëlojë forcën e popullit serb përmes përpjekjeve për të dobësuar Listën Serbe në institucione në nivelin qendror dhe lokal, siç tregohet nga vendimi për të pamundësuar të drejtën e votës për mijëra serbë në gjithë Kosovën”.
“Duke punuar në terren me qytetarët, por edhe nga analiza, kemi marrë të dhëna se një numri të caktuar të qytetarëve u është mohuar e drejta për të votuar madje edhe me posedim të dokumenteve të Kosovës, sepse nuk janë në listën e votuesve. Unë do të përkujtoj se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme garanton që kartat e identifikimit të refugjatëve, si dhe ato për persona të zhvendosur mund të përdoren në zgjedhje, dhe kjo është injoruar në terren. Ne po flasim këtu për mijëra bashkëqytetarë tanë që u dëbuan dhe të cilëve sot u është mohuar e drejta e votës”, ka pretenduar Rakiq, duke mos përmendur se një numër i madh i serbëve kosovarë nuk i pranon dokumentet zyrtare të Kosovës pasi nuk e njohin atë.
Në pyetje se pas vendimit të ri të KQZ-së, a është e mundur që LS të mos fitojë të dhjetë mandatet, Rakiq është përgjigjur se “ky vendim i Komisionit Qendror Zgjedhor do të jetë një nxitje shtesë për të gjithë bashkatdhetarët tanë për të treguar më 14 shkurt se sa mbështesin politikën e Listës Serbe e cila e ka si bazë mbajtjen e lidhjeve të forta, më saktësisht kordonin e kërthizës midis Serbisë dhe serbëve të Kosovës”. “Kur është më vështirë, serbët janë më të mirët, kështu që nuk dyshoj se do të jetë e njëjtë edhe këtë herë. Serbët këtu janë politikisht shumë të mençur, unë dyshoj se ata do të mbështesin ndonjëherë ata që përfaqësojnë partitë serbe, të cilët në fushata shkojnë krah për krah me “komplotistët e të ashtuquajturës Shqipërisë së Madhe”. Populli serb gjithmonë ka qenë me shtetin e tij dhe ne të gjithë do të jemi tubuar rreth flamurit të Aleksandar Vuçiqit dhe Listës Serbe”, i bënë të qartë Rakiq synimet e Listës Serbe./Insajderi.org.