×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Rama acarohet me partinë e Abdixhikut- Mosmarrëveshje e madhe mes kryetarit të Prishtinës dhe LDK’së

    Insajderi
    11 December 2023 - 20:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deri më tani mes partisë së Lumir Abdixhikut dhe Përparim Ramës përplasja më e madhe u shkaktua nga bojkoti i grupit të asamblistëve të LDK’së në Komunën e Prishtinës i seancës së të enjtes ku nga PDK e LVV u votua falja e 75 eurove nga tatimi në pronë për vitin 2023.

    I pari i Prishtinës ka qenë pro një vendimi që banorëve të kryeqytetit t’u falet një pjesë e tatimit në pronë, madje ka propozuar edhe një formulë të tij për këtë gjë, por që nuk ka marrë mbështetjen e partisë e cila e kandidoi për të parin e kryeqytetit.

    Madje, asamblistët e LDK’së, me urdhrin e partisë së tyre dhe pa marrëveshje me Kryetarin Rama, kanë bojkotuar krejtësisht seancën e 7 dhjetorit ku u shqyrtua dhe votua falja e tatimit në pronë.

    Si rrjedhojë, të enjten, në Asamblenë Komunale të Prishtinës, me 28 vota pro ka kaluar propozimi i LVV’së i mbështetur edhe nga PDK’ja që qytetarëve t’u falen 75 euro nga shuma e tatimit në pronë për vitin 2023.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pati propozuar që të falet çdo ndryshim i vlerës së tatimit në pronë nga viti 2022 në vitin 2023, prej 0 deri në 100 euro. Por ky propozim i tij nuk u mbështet as nga LDK-ja që ishin kundër që prishtinasve t’u falet ndonjë cent i tatimit në pronë, e që rezultojë me bojkot të seancës së Kuvendit Komunal.

    Kështu, veprimi i Asamblistëve të LDK’së për bojkot të kësaj seance të jashtëzakonshme pos që u kritikua nga partneri qeverisës i Ramës në komunën e Prishtinës – PDK-ja – dhe opozita LVV, AAK e AKR, ka acaruar edhe kryetarin e Prishtinës. Madje, siç ka marrë vesh gazeta online Reporteri.net, pas këtij zhvillimi, Përparim Rama është një hap larg largimit nga siç e quan ai dhe njerëzit e afërt me të, “partneriteti i ngushtë” me LDK’në për të qeverisur me kryeqytetin.

    Rama qysh të enjten është duke shqyrtuar ndërprerjen e marrëveshjes me LDK’në dhe kryetarin e saj Lumir Abdixhiku, derisa sot ose nesër pritet të marrë vendimin final, i ka thënë gazetës online Reporteri.net një burim i mirinformuar brenda LDK’së.

    I kontaktuar nga Reporteri.net, Përparim Rama nuk është përgjigjur të hënën në thirrjet e gazetës. As nga LDK-ja askush s’ka pranuar të flasë rreth kësaj çështje.

    Çështja e faljes së tatimeve në pronë erdhi si rrjedhoje e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila javë me parë vendosi që vendimi i Qeverisë së Kosovës për faljen e tatimit në pronë përmes ndryshimeve në Ligjin për tatim në pronë, nuk cenon përgjegjësitë komunale.

    Vendimi i Qeverisë propozon faljen e tatimit në pronë nga Komunat, por vendimin për këtë ua lë në domen komunave përmes votimit në asambletë komunale.

    Arkitekti nga Londra, në Zgjedhjet Lokale të vitit 2021, u kandidua nga LDK’ja për Kryetar të Prishtinës, të cilat edhe i fitoi në balotazh me Arben Vitinë e LVV’së.

    Me të ardhur në krye të Prishtinës, Rama nuk është se e ka definuar mirë “statusin” e tij në LDK, herë duke u deklaruar si pjesë e saj e herë si veç bashkëpunëtor për Prishtinën i partisë së Lumir Abdixhikut. Ky i fundit, ndonëse Përparim Rama qeverisë me komunën më të rëndësishme në vend – siç është kryeqyteti – të parin e saj nuk e ka përfshirë as si anëtar të thjeshtë në kryesinë e re të partisë së tij. /Reporteri.net/.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark