×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Rama del sërish tek rruga që po ndërtohet nga biznesmeni i dënuar për mashtrim që po hetohet nga shteti

    Insajderi
    13 May 2023 - 13:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Brenda një jave, Përparim Rama ka dalë dy herë në terren për të inspektuar punimet e “Gërlica-Company” SH.P.K., vetëm pak ditë pasi Gazeta Insajderi ka raportuar që pikërisht për tenderin e dhënë nga ai, kompania po hetohet nga drejtësia.

    Gazeta Insajderi

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe drejtori i Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi, kanë bërë sot inspektime në nisjen e fazës së dytë të punimeve në rrugën “Nekibe Kelmendi”.

    Ai tha se udha që çon për te Pallati i Drejtësisë është me rëndësi të madhe, dhe ndërlidh disa pjesë kyçe të kryeqytetit.

    “Për këtë arsye edhe kemi krijuar një rrugë me një dizajn të ri, e cila përmban trasenë për biçikleta, por e kemi edhe mënyrën e komunikacionit alternativ, përveç të makinave po ashtu edhe zona e këmbësorëve edhe zona e gjelbër për të krijuar edhe një ambient më të mirëfilltë edhe për qytetarët të cilët ecin nëpër këto pjesë të kryeqytetit. Është një punë intensive”, tha Rama, shkruan Gazeta Insajderi.

    Përparim Rama, kryetari i Prishtinës duke inspektuar punimet tek rruga “Nekibe Kelmendi”

    Ky është inspektimi i dytë brenda një javë, pasi një të ngjashëm e bëri edhe të martën, më 9 maj.

    “Inspektuam këto rrugë ku vetëm se po bëhen punime të mëdha: Nekibe Kelmendi, Xheladin Rekaliu (Te Konviktet) dhe Kodrën e Trimave”.

    “Inspektimi ynë u kushtua kërkesave dhe nevojave të banorëve të këtyre zonave për të siguruar një mjedis të pastër dhe të sigurt për të gjithë. Vazhdojmë të zhvillojmë Kryeqytetin”, ka shkruar të martën Rama në Facebook-un e tij, nga rruga ku po vazhdojnë punimet nga kompania “Gërlica-Company” SH.P.K.. transmeton Gazeta Insajderi.

    Kjo kompani që sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve udhëhiqet Genc Thaçi, Ahmet Vogliqi dhe Mifail Vogliqi është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

    Krejt kjo ka ndodh pasi Gazeta Insajderi më 20 shtator të vitit të kaluar kishte raportuar ekskluzivisht se si Komuna e Përparim Ramës e kishte shpërblyer me tender mbi gjysmë milion euro kompaninë “Gërlica-Company”, pavarësisht se pronari i saj, Mifail Vogliqi, ishte i dënuar për dokumente të falsifikuara, dhe sipas Ligjit të Prokurimit nuk mund të fitonte kontrata publike.

    Sipas nenit 65 paragrafit 3 të Ligjit për Prokurim Publik: Operatori Ekonomik nuk ka të drejt të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e ndonjë vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave, dhënien e mitos, avantazheve ose aktiviteteve të ngjashme.

    Gazeta merr vesh që këto ditë, tetë muaj pas shkrimit të Insajderit janë intervistuar edhe dëshmitarë që kanë njohuri për mënyrën se si u dha ky tender dhe se a pati shkelje të Ligjit të Prokurimit.

    Siç merr vesh Gazeta Insajderi, kjo lëndë për hetim i është dhënë prokurores Fitore Sadiku.

    Pas këtij veprimi nga drejtësia, Gazeta Insajderi javën e kaluar e ka pyetur Komunën e Prishtinë në ka marrë masa ose do të merr për kompaninë “Gërlica-Company”, por institucioni i udhëhequr nga Përparim Rama ende nuk ka kthyer përgjigje.

    Por, duket se Ramës ky fakt s’i ka bërë përshtypje – dhe dy here brenda kësaj jave doli në terren për të inspektuar punimet e kompanisë që për tenderin e dhënë nga ai po hetohet nga drejtësia.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark