Ylber Ramadani u transferua këtë merkato nga Aberdeen në Serie A tek skuadra e Lecces.
Menjëherë, 27-vjeçarit i janë besuar çelësat e mesfushës së Lecces dhe në fakt lojtari i kombëtares nuk ka zhgënjyer. Pasi debutoi me Leccen në Kupë, mbrëmjen e së dielës, Ramadani debutoi edhe në kampionat teksa skuadra e tij mposhti me përmbysje Lazion me shifrat 2-1.
Mesfushori i kombëtares shqipatre luajti për 90 minutat e ndeshjes, duke zhvilluar një paraqitje tejet pozitive teksa “SofaScore” e vlerësoi me notën 7.1.
“Një nga fanarët e skuadrës së Lecces në mesfushë. Në fillimin e pjesës së dytë, Ramadani është njeriu më i rrezikshëm i të zotëve të shtëpisë”, shkruhej nga Eurosport mbi ndeshjen që zhvilloi ish-lojtari i Partizanit në Superiore. Kështu, Ramadani e ka nisur me “këmbë të mbarë” aventurën e tij në elitën e futbollit italian, një sinjal pozitiv edhe për trajnerin e kombëtares Sylvinho në vigjilje të dy përballjeve kualifikueseve për Euro 2024 ndaj Çekisë dhe Polonisë.