Lojtarët e PSG -së zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer mbrëmjen e së dielës dhe mposhtën Lorientin me rezultat 5:1.
Treshja sulmuese e parisienëve luajti shkëlqyeshëm, por ndeshja mbeti nën hijen e indinjatës së tifozëve kur Sergio Ramos u fut në fushë.
Mbrojtësi spanjoll me përvojë po përballet me lëndime këtë sezon.
Që prej mbërritjes në Paris nga Madridi, ai ka regjistruar, përfshirë ndeshjen kundër Lorientit, vetëm gjashtë paraqitje.
Më në fund Ramos e mori veten dhe Mauricio Pochettino donte t’i jepte një shans në 20 minutat e fundit të ndeshjes, por tifozët nuk e përshëndetën ish-kapitenin e Real Madridit kur ai hyri në lojë.
Ai nuk është futbollisti i parë që pritet me fishkëllima nga tifozët e PSG-së këtë sezon, pasi Neymar dhe Lionel Messin morën të njëjtën pritje në ndeshjen kundër Bordeaux, pak ditë pas eliminimit nga Liga e Kampionëve.
Megjithatë, sipas trajnerit të skuadrës, Mauricio Pochettino, ai nuk mendon se fishkëllimat i janë dërguar direkt për Ramos, por se është shprehje e pakënaqësisë së tifozëve për eliminimin nga kompeticioni më elitar evropian.
“Fishkëllima për Sergio Ramos? Mendoj se është zhgënjimi i tifozëve për shkak të rënies nga Liga e Kampionëve, nuk mendoj se fishkëllimat i janë dërguar direkt atij. Ai është një kampion i madh dhe meriton respekt si të gjithë lojtarët e Paris Saint-Germain”, tha Pochettino.