Sulmuesi brazilian, Raphinha do të fluturojë sot (e mërkurë) për në Spanjë për të përfunduar transferimin e tij te Barcelonë.
Gazetari i njohur italian, Fabrizio Romano ka njoftuar se Raphinha do të udhëtoj sot për të kompletuar transferimin në Camp Nou.
Sipas tij, një kontratë deri në verën e vitit 2027 tashmë është rënë dakord pasi 25-vjeçari u përpoq shumë për t’iu bashkuar klubit të tij të ëndrrave.
Barcelona u përball me konkurrencë për sulmuesin e Leeds United, por në fund thuhet se ka fituar garën për një shifër prej 58 milionë euro plus nëntë milionë bonuse.
Raphinha është bërë një reprezentues i rregullt i Brazilit dhe një nga lojtarët sulmues më dinamikë në Ligën Premier që nga mbërritja në Elland Road në verën e vitit 2020 dhe nuk ka kaluar pa u vënë re.
Arsenali, Chelsea dhe Tottenham Hotspur e kërkonin atë, por Raphinha donte vetëm Barcelonën dhe tani duket se ai do të marrë atë që dëshiron, transmeton telegrafi.
Braziliani nuk do të jetë i vetmi që do të arrijë në Camp Nou këtë verë, pasi bordi i Barcelonës po shtyn të mbyllë një marrëveshje për sulmuesin e Bayern Munich, Robert Lewandowski, i cili ashtu si Raphinha dëshiron të bashkohet vetëm me Barçën.