Insajderi
Lajme

Raportimi i Insajderit | Ngritet aktakuzë ndaj xhaxhait që dyshohet se shpërfilli Gjykatën për të shfrytëzuar pronën e mbesës jetime

Insajderi
26 February 2026 - 18:07
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Raportimi i Insajderit | Ngritet aktakuzë ndaj xhaxhait që dyshohet se shpërfilli Gjykatën për të shfrytëzuar pronën e mbesës jetime
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër Enver Osmanajt nga fshati Kovragë i Istogut, nën dyshimin e bazuar për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”. Rasti rëndohet nga pretendimet e mbesës së tij, Dea Osmanaj, e cila deklaronte për Insajderin se xhaxhai i ka uzurpuar trashëgiminë që i takonte nga babai i saj i ndjerë.

Sipas aktakuzës së siguruar nga Insajderi, Enver Osmanaj akuzohet se që nga prilli i vitit 2023 ka shkelur qëllimisht vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Dega në Istog. Ndonëse Gjykata kishte vendosur masë të përkohshme sigurie mbi disa parcela kadastrale, duke ia ndaluar të pandehurit tjetërsimin apo ndryshimin e gjendjes së tyre, ai ka vazhduar shfrytëzimin e tyre.

Prokuroria shton se i pandehuri, në cilësinë e përfituesit të granteve dhe subvencioneve shtetërore, ka vazhduar të mbjellë molla në këto parcela, duke i pamundësuar mbesës së tij shfrytëzimin e pjesës që i takon me ligj.

Historia pas këtij kontesti pronësor është sa ligjore, aq edhe humane.

Gazeta eksluzivisht Insajderi pati raportuar për rastin.

Dea Osmanaj ka deklaruar para prokurorit se ishte vetëm 9-muajshe kur i vdiq babai, Skender Osmanaj. Ajo pretendon se xhaxhai i saj ka shfrytëzuar mungesën e babait dhe moshën e saj të mitur për të marrë kontrollin mbi pronat që i takonin asaj si trashëgimtare e rendit të parë.

Në dosje përmendet edhe një “Kontratë mbi dhuratën” e vitit 2002, e cila sipas Prokurorisë nuk është vërtetuar kurrë me vulë zyrtare të gjykatës, duke ngritur dyshime mbi ligjshmërinë e pretendimeve të xhaxhait.

Prokurori i shtetit, Dorjan Juniku, ka grumbulluar një sërë provash që mbështesin aktakuzën, incizimet gjatë emisionit “Canape”, kamerat kanë dokumentuar se në parcelat nën masë sigurie ishin mbjellë molla të reja, gjë që vërteton shkeljen e urdhrit të gjykatës.

I pandehuri ka pranuar se është në dijeni për masën e sigurisë, por ka arsyetuar veprimet e tij me faktin se ka fituar grante dhe se, sipas tij, mollët ishin mbjellë kohë më parë.

Lidhur me ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria, Insajderi ka kontaktuar sërish Enver Osmanajn për të marrë komentin e tij rreth pretendimeve të mbesës dhe nënës së saj.

I pandehuri ka mohuar qëllimin për t’u marrë pronën, duke thënë se konflikti qëndron te shtëpia ku ai banon.

“Tokën nuk ia ka mohuar askush, por ajo ka qëllime të tjera – po pretendn shtëpinë që e kam ndërtuar vetë në tokën e babës. Unë jam i vetmi vëlla që ka jetuar këtu dhe është kujdesur për prindërit, ndërsa Skenderi ka qenë jashtë. Kemi pasur marrëveshje vëllazërore dhe hiset janë të ndara; pjesën që u takon hallall u qoftë dhe gjyqi le t’ua japë, por shtëpinë time nuk mund ta marrin”, u shpreh ai.

Osmanaj hodhi poshtë edhe pretendimet se po përfiton nga ajo pjesë e tokës, duke thënë se ajo nuk po punohet nga askush.

“Përkundër pretendimeve të tyre, atë tokë askush nuk po e punon, ka mbetur batall. Edhe një herë po them, unë ia kam lënë në dorë gjyqit”, deklaroi ai.

Sidoqoftë, Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar nga Gjykata që Enver Osmanaj të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Sipas informacioneve të Insajderi, deri tani nuk është mbajtur ndonjë seancë.

Gazeta do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin…


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark