×
  • Lajme
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    REAGIM NË LIDHJE ME EMISIONIN “JETA NË KOSOVË: Monopoli me Dritë të Diellit – ZRrE dhe Devolli” nga Jeta Xharra

    Insajderi
    12 May 2020 - 13:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Emisioni i shfaqur në RTK me autore gazetaren Jeta Xharra me datë 30.04.2020, konsiderojmë që është tendencioz dhe ka cak dëmtimin e reputacionit të kompanisë Devolli Group si dhe personalitetin e z.Devolli. Ky emision përbën sulm të drejtëpërdrejtë tek bizneset vendore, në këtë rast kompanisë Devolli që ka kontribut mjaft të madh në ekonominë kosovare. Gazetarja në fjalë, përkundër faktit që i mungon tërësisht kompetenca në sferën e ekonomisë dhe mungesës së përmbajtjes, tenton që përmes krijimit te spektakleve artificiale dhe zhurmës të imponohet si gazetare hulumtuese. E njejta gazetare kishte zhvilluar një fushatë të tillë edhe kundër ndërtimit të Termocentralit Kosova e Re nga kompani të njohura amerikane, investim strategjik dhe jetik për Kosovën.

    Shtrembërimi dhe keqinterpretimi i koncepteve themelore nga sektori i energjisë na shqetëson thellësisht dhe na qon në përfundimin se sulmi ka agjendë jotransparente. Emisioni i lartëcekur është gjithçka tjetër përveqse gazetari hulumtuese. Fjalori dhe toni i gazetarës Jeta Xharra është vetëm folklor, nuk pasqyron realitetin dhe vë në pah mungesë të njohurive themelore në sektorin energjetik.

    Me apo pa qëllim, ky emision sulmon vetëm një biznes, prodhues të energjisë nga BRE dhe injoron plotësisht faktin që shumë kompani vendore e të huaja tashmë posedojnë autorizime nga ZRrE dhe janë pjesë e skemës mbështetëse e të cilat poashtu gëzojnë përkrahjen e ambasadave të shteteve përkatëse, te cilat kur është fjala për investitorë me origjinë nga shtetet e tyre, nuk reagojnë kundër tarifave nxitëse, megjithëate një gjë të tillë e bëjnë kur në pyetje janë investitorët vendorë.

    Është e domosdoshme të ceket që një qasje e tillë demotivon investitorët dhe kërcënon sigurinë e investimeve të tyre, andaj është e nevojshme që njëzëri të kundërshtohet.

    Më poshtë listojmë argumentet dhe sqarime që ky emision i keqinterpreton me qëllim:

    1. Skemat mbështetëse dhe tarifat nxitëse nuk janë gjetje e institucioneve tona, por aplikohen dhe janë në fuqi në pothuajse të gjitha shtetet e EU. Vetë termi tarifë nxitëse (feed-in-tariff) nënkupton që për investitorin ofrohet një çmim i cili është mbi atë të tregut në menyre që investimi si i tillë të bëhet më atraktiv. Është mëse e logjikshme që investitori të gjenerojë fitime nga këto investime. Si princip, në periudhën afatmesme ofrohet çmim preferencial, ndërsa në afatgjatë me përfundimin e marrëveshjes për blerje të energjisë, shitja e sasisë së energjisë bëhet në bursës, pra treg të lirë.
    2. Krahasimet me modalitetet që aplikohen në projekte të caktuara në Shqiperi, nuk është i qëndrueshëm meqë aty bëhet fjalë për projekte me kapacitet 140MWp. Këtu kemi të bëj me një krahasim që bëhet qëllimisht për kinse të argumentuar që tarifat nxitëse në Kosovë janë shumë të larta, por „gazetari hulumtues“ nuk e ka të qartë se si funksionon koncepti i ekonomisë së shkallës (economy of scale) dhe nuk merr parasysh shumë faktorë që bëjnë dallimin në mes të një projekti me fuqi 3MWp dhe 140MWp:
      • Financimi: Institucionet Financiare Ndërkombëtare nuk marrin as në shqyrtim projekte me fuqi më të vogël se 10MWp, si pasojë financimi i projekteve nga bankat komerciale përbën dallim substancial në koston e tij për shkak të dallimit në interes të kredive. Për më tepër, bankat në Kosovë nuk ofrojnë mundësi për financim në bazë të projektit (project finance) dhe nuk marrin parasysh instrumentin e tarifës nxitëse.
      • Kohëzgjatja e marrëveshjes: Për projektin e cekur në Shqipëri kohëzgjatja e marrëveshjes për blerje të energjisë më çmim të garantuar është me 15 vite.
      • Toka e nevojshme: Në projektin e cekur në Shqipëri (por edhe në projektet në Maqedoninë e Veriut) qeveria në formë të mbështetjes jep në shfrytësim pa kosto shtesë tokën për ndërtimin e impianteve solare, përderisa në Kosovë toka duhet të sigurohet nga investitori.
      • Rrezatimi diellor: Pozita gjeografike e Shqipërisë mundëson rrezatim më të lartë dhe njëherit prodhim më të madh si dhe kthim shumë më të shpejtë të investimit.
      • Studimet mbi BRE: Një pjesë mjaft e madhe e investimit në një projekt BRE shkon për studimë të ndryshme të ambientit dhe kushteve të motit. Një gjë e tillë ofrohet nga qeveritë në vendet tjera.
      • Madhesia e projektit: Çmimi për MWp i paisjeve nuk është i njejtë për një projekt me fuqi 140MWp me nje me fuqi 3MWp, pra logjikisht prodhuesit e paneleve dhe paisjeve tjera ofrojnë çmime më të lira për projekte më të mëdha.
      • Kyqja në rrjet: Në Kosovë koston për kyqjen në rrjet duke përfshirë dhe projektin e kyqjes i mbartë vetë investitori, ndërsa në vende tjera të njejtat ofrohen nga qeveria.
    3. Çdo përson juridik apo fizik, qoftë shtetas i Kosovës apo i huaj, sipas ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës dhe bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe parimeve të ekonomisë së tregut është i lirë të vendosë vetë në lidhje me organizimin e kompanisë që zotëron, si rrjedhojë edhe shtetin ku e regjistron atë.

    Fakti që kompanitë tona janë të regjistruara në një shtet të Bashkimit Europian nuk përbën absolutisht asnjë shkelje ligjore. Ndërsa të thuhet se ky shtet mundëson „fshehjen“ e aksionarëve të kompanive është shpifje, duke qenë se si në çdo shtet anëtarë të BE-së, edhe në Maltë prevalon legjislacioni i BE-së, andaj edhe ky shtet aplikon standardet e njejta të unionit duke përfshirë edhe ato të transparencës. Rrjedhimisht, të dhënat për çdo biznes të regjistruar në këtë shtet janë të qasshme në faqen zyrtare të regjistrit të bizneseve në Maltë dhe ky informacion është i qasshëm, prandaj edhe gazetarja në fjalë e ka marrë ketë informacion ne ketë regjistër dhe nuk ka zbuluar asgjë sekrete. Linku i regjisrit te bizneseve: https://registry.mbr.mt

    1. Fakti që një person fizik është pronar i disa kompanive që posedojnë autorizim nga ZRrE për prodhim të energjisë nga BRE, nuk përbën asnjë lloj shkelje nëse të njejtat janë lëshuar me rastin e plotësimit të të gjitha dispozitave të parapara me ligje dhe rregullore në fuqi.
      • Rregullorja e ZRrE mbi Skemën Mbështetëse për BRE, pika 4.2. saktëson që një aplikacion për autorizim nuk mund të tejkalojë fuqinë 3MWp, por e njejta në asnjë pikë nuk ndalon që një përson juridik të posedojë disa autorizime.
      • Në lidhje me këtë vlen të theksohet fakti që konform kësaj rregulle, ZRrE u ka lëshuar më shumë se një autorizim preliminar apo final disa. Në listë ka kompani që posedojnë autorizime për 103MWp për prodhimin të energjisë nga BRE, pra 3 autorizime, të tjera me 70MWp pra 2 autorizime. Poashtu, ka edhe kompani të tjera të regjistruara në shtete të huaja. Keto të dhëna mund të vërtetohen lehtësisht meqë lista e kompanive që posedojnë autorizime nga ZRrE është publike, poashtu të njejtat kompani janë lehtë të verifikueshme në faqen e ARBK. Linku i regjistrit të bizneseve në Kosovë: https://arbk.rks-gov.net
    2. Pretendimi për monopolizim në sektorin e energjisë se ripërtrishme gjithashtu është i pabazuar. Pronarë të disa autorizimeve për prodhim të energjisë nga BRE që i takojnë skemës mbështetëse janë shumë kompani në Kosovë dhe nuk ka asnjë monopol në ketë sektor. Procedura për autorizim nuk i lë ZRrE ndonjë diskrecion në vendosje që cilës kompania t’ia jap autorizimin, por autorizimet merren sipas radhës së aplikimit. Gjithashtu nuk ekziston kufizimi i autorizimeve për një kompani. Ka kompani të tjera në sektorin e energjisë se ripërtrishme që posedojnë disa të tille nga skema mbështetëse, fakt që gazetarja nuk e pasqyron fare në raportin e saj. Këtu shihet qartë tendenca e saj që të sulmojë kompaninë Devolli Group.
    3. Pohimi për përmbushjen e obligimeve nga Republika e Kosovës të caktuara nga Komiteti i Energjisë është plotësisht i paqëndrueshëm , duke qenë se pika që cakton se sa përqind e energjisë së prodhuar në Kosovë duhet të vie nga BRE edhe nuk është arritur, ndërsa „përmbushja“ e cakut është bërë përmes faktorëve tjerë siq janë biomasa apo ngrohja me dru në vend të qymyrit. Ndërsa, Komiteti i Energjisë nuk ka konfirmuar që një përmbushje të tillë e pranon si të mirëqenë.

    Në vazhdimësi do të demantojmë çdo lloj keqinterpretimi apo shpifje që bëhet nga pseudo-gazetarë kundrejtë nesh si kompani por edhe kundrejtë komunitetit të prodhuesve të energjisë nga burimet e ripërtrishme. Në besojmë që sektori energjetik në Kosovë është faktor kyq për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, të cilin e synojmë si shtet. Poashtu, ky sektor bazuar në praktikat nga shtetet e zhvilluara, duhet të diversifikohet për të ofruar siguri në furnizim si dhe pavarësi nga importi.

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark