×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Reagon Drejtori i Kardiologjisë pas protestës së mjekeve

    Insajderi
    30 September 2023 - 20:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Drejtori Lulzim Kamberi ka dal me reagim pasi ditën e djeshme rreth 20 kardiologë protestuan me kërkesën për shkarkimin e tij dhe shefit të Njësisë Koronare, Artan Ahmeti.

    Ai tha se kërkesa e këtij grupi për ta “suspenduar dhunuesin dhe menaxhmentin që mbron dhunuesin”, është kërkesë mbi ligjin sepse, sipas tij, organet ligjore kanë thënë fjalën e tyre.

    Kamberi ka shprehur lutje për institucionet e rendit, institucionet tjera, OJQ, e më gjërë që t’i hulumtojnë pretendimet e këtij grupi për diskriminimin gjinor dhe të tjera prentedime.

    Tutje, ai tha se në rast se provohet vetëm tentativë nga ai, për këtë thotë se është i gatshëm të mbart përgjegjësitë morale, ligjore etj., dhe njëkohësisht në rast se nuk provohet një gjë e tillë, deklaron se do të kërkoj përgjegjësi për njollosësit dhe shpifësit imagjinativ.

    “Tendenca për të më njollosur me dhjetëra shpifje dhe të pavërteta ( të afishuara) do të mbesin një tentativë e mjerë. Incitiviteti i tyre është sa i thjeshtë për t’u kuptuar aq edhe absurd. I thjeshtë sepse bëhet fjalë për humbje të privilegjeve dhe të mësuarit në parregullsi. Absurd sepse këto tunel-mendësi rrezikojnë vlerat shoqërore” , thuhet në reagimin e Kamberit.

    Reagimi i plotë i Drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë:

    Klinika e Kardiologjisë në vazhdimësi është përcjellur me vështirësi të natyrave të ndryshme. Shërbimi i Kardiologjisë invasive dy herë është ndarë nga Klinika e Kardiologjisë (ndarje e përcjellur edhe me ndërrim statuti) dhe së fundmi, pas ndërrimit të statutit në mars të vitit të kaluar është bashkuar përsësri. Vetë ndarjet dhe bashkimet tregojnë për vështirësitë e shumta të kësaj Klinike.

    Viteve të ’90-ta kam qenë i larguar nga puna, nga masat e dhunshme të pushtuesit serb, dhe ate vetëm se jam shqipëtar. Specializimin e kardiologjisë e kam mbaruar në vitin 1992-1996 në QSU-Tiranë. Vështirësitë ekonomike, rrethanat e rënda të përgjithshme, kalimet ilegale të kufirit është vështirë të paramendohen dhe shumë të vështira për mua t’i rikujtoj.

    Jam punësuar në Klinikën e Kardiologjisë në qershor të vitit 1999, në rrethana që mund të paramendohen për një shtet të dalë nga robëria e gjatë.

    Duke i marrë parasysh këto gjëra, ndiej obligim të kontribuoj që këto të mos na përsëriten kurrë më. Ndiej obligim ndaj gjenaratave të kaluara, të tashme dhe të ardhme. Angazhminin tim për udhëheqje të Klinikës së Kardiologjisë duhet kuptuar në këtë sens.

    Unë asnjëherë nuk udhëhiqem me inate, hakmarrje, pengesa të kuadrove të reja, përkundrazi në vazhdimësi veproj për ngritje të cilësisë në punë, respektimit të rregullave në punë, respektimin e të gjithë të punësuarve në institucionin që unë aktualisht e drejtoj, si parakusht për detyrën tonë të shenjtë të ruajtjes së shëndetit të të sëmuarit.

    Thellësisht jam i angazhuar që listën e pritjes për të sëmuarit ta reduktojmë ose edhe ta zhdukim. Klinika e Kardiologjisë ka kapacitete të pakta krahasuar me nevojat e popullatës.

    Menaxhmenti kemi marrë në konsideratë dhe jemi afër kalimit në dy ndërrime pune, vetëm e vetëm për ta zvogluar pritjen e të sëmuarve. Eshtë e nevojshme shtimi i teknikëve të sallës së kataeterizimit që do ta mundësonte këte.

    Përkundër të gjitha këtyre ne në këtë vit deri më tani kemi tejkaluar ( tre muaj para përfundimit të vitit), rekordin e vitit 2019 me intervenime, aq më shumë në këtë vit intervenimet kanë qenë shumë më komplekse.

    Ju informoj se ditën e protestës së një grupi të mjekëve të Klinikës së Kardiologjisë, unë së bashku me disa kolegë ( në shpenzimet tona) kemi pasur në axhendë vizitën në Spitalin Rajonal të Prizrenit për të parë mundësinë e përshpejtimit të funksionalizimit të aparatit të koronarografisë ( fjala është për aparatin e ri të koronorografisë të SR të Prizrenit i cili është investimi i Lux-Development, projekt i Qeverisë së Luksemburgut). Funksionalizimi i këtij aparati do të na ndihmonte shumë në kryerjen e procedurave për të sëmuarit nga lista e pritjes dhe për të sëmuarit akut kardiak nga regjioni i Prizrenit dhe më gjërë.

    Kjo ka qenë arsyeja që unë nuk kam mundur t’ju përgjigjem kërkesave të gazetarëve për protestën në fjalë (në media është raportuar për mosgadishmërinë time për tu përgjigjur, përkundër asaj që të gjithë të interesuarit i kam njoftuar se jemi në takim ditor pune në SR të Prizrenit).

    Përkujdesja dhe mirësjellja ime për të gjithë personelin e Klinikës së Kardiologjisë dhe më gjërë, buron nga edukata, kultura dhe formimi im.

    Tendenca për të më njollosur me dhjetëra shpifje dhe të pavërteta ( të afishuara) do të mbesin një tentativë e mjerë. Incitiviteti i tyre është sa i thjeshtë për t’u kuptuar aq edhe absurd. I thjeshtë sepse bëhet fjalë për humbje të privilegjeve dhe të mësuarit në parregullsi. Absurd sepse këto tunel-mendësi rrezikojnë vlerat shoqërore.

    Shpreh lutje të madhe për institucionet e rendit, institucionet tjera, OJQ, e më gjërë që t’i hulumtojnë pretendimet e këtij grupi për diskriminimin gjinor dhe të tjera dhe në rast se provohet vetëm tentativë nga unë për këte unë jam i gatshëm të mbart përgjegjësitë morale, ligjore etj., njëkohësisht në rast se nuk provohet një gjë e tillë kërkoj përgjegjesi për njollosësit dhe shpifësit imagjinativ.

    Kërkesa e këtij grupi për ta “suspenduar dhunuesin dhe menaxhmentin që mbron dhunuesin”, është kërkesë mbi ligjin sepse organet ligjore kanë thënë fjalën e tyre.

    Unë nuk dua të flas konkretisht, për shkak të vendosmërisë time për të përmirësuar sa të jetë më shumë e mundur çdo gjë në Klinikën e Kardiologjisë.

    Ky është obligim dhe përbetim i imi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark