×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Reagon Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve pas dhunës ndaj Frashërit në Gjilan

    Insajderi
    04 April 2022 - 15:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës ka thënë e ndihet e tronditur me dhunën ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri, në ndeshjen e Superligës mes Gjilanit dhe liderit të Superligës  të dielën, duke i kërkuar Federatës së Futbollit t’ua ndalojë huliganëve hyrjen në stadiume të futbollit.

    Stivi Frashëri i Ballkanit u sulmua dhunshëm në fushën e lojës nga disa tifozë të Gjilanit, të cilët e pushtuan fushën pasi skuadra e tyre e kishte barazuar rezultatin kundër liderit të Superligës në kohën shtesë, duke e hedhur për toke dhe shkelmuar në kokë portierin 31-vjeçar.

    Ndeshja u pezullua dhe portieri shqiptar u dërgua në spital me ambulancë pasi i kishte humbur ndjenjat për disa minuta. Ai u lirua nga spitali të dielën vonë.

    Në një reagim në Facebook, SHMDF-ja shkroi: “Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës është e shokuar me incidentin që ngjau dje në Gjilan, dhe dënon ashpër sulmin nga tifozët e klubit futbollistik SC Gjilani ndaj portjerit të KF Ballkani, Stivi Frashëri, me kërkesën që akterët e kësaj ngjarje të mos lejohen më kurrë të përcjellin ndeshje sportive futbollistike, sepse “tifozë” të tillë nuk i duhen as SC Gjilanit – as ndonjë ekipi tjetër të futbollit.”

    Ajo i bëri thirrje, FFK-së, e cila është përgjegjëse për organizimin dhe udhëheqjen e garave të futbollit në vend në bazë të nenit 57 të Statutit të federatës, të ndërmarrë masa ndaj tifozëve që shkaktuan dhunën.

    “Ne kërkojmë nga Federata e Futbollit të Kosovës të marrë masat e duhura dënuese dhe  parandaluese që ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë më. Futbollistët brenda vijave të fushës së lojës janë të shenjtë e të paprekshëm dhe siguria e tyre duhet të jetë e plotë dhe e padiskutueshme”, thuhet një reagimin e saj.

    Përgjegjëse pjesërisht për dhunën në Gjilan duhet të mbahet edhe federata, si organizatore e Superligës, e cila lejoi që ndeshja të zhvillohej në një stadium në ndërtim e sipër dhe pa rrethoja mbrojtëse në tribuna, e cila ua mundësoi tifozëve pushtimin e fushës sa hap e mbyll sytë.

    Ditë më parë, presidenti i FFK-së Agim Ademi ishte mburrur për investime në stadiumet e vendit, përmes një videoje që tregonte për rregullimin e dhomave të zhveshjes, por jo edhe për sigurinë, e cila është më themelorja për zhvillimin e një ndeshjeje me mijëra tifozë.

    Dhuna në Gjilan ndodhi vetëm tri ditë para zgjedhjeve kontroverse për president në FFK, ku Ademi do të kërkojë një mandat të dytë, pasi ia hapi rrugën vetes për të kandiduar i vetëm dhe i pa sfiduar, me kandidaturën e Gramoz Vokrrit që nuk u pranua nga komisioni i FFK-së.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark