×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Rexhaj i VV-së, kërkon nga Çitaku të di nëse ka pasur takime tjera me ish-agjentin e arrestuar të FBI, McGonial

    Insajderi
    21 February 2023 - 16:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Pas deputetit, Artan Abrashi edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj ka kërkuar nga nënkryetarja e PDK-së që të tregojë nëse ka pasur takime tjera me Charles McGonigal, ish-zyrtarin e lartë i kundërzbulimit në FBI, i cili u arrestua pasi dyshohet se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri.

    Rexhaj ka thënë se Çitaku e PDK u panë në siklet për këtë rast.

    Dje u publikuan dy fotografi të nënkryetares së PDK-së dhe ish-ambasadores Vlora Çitaku me Mcgonigal dhe u kërkua sqarim nëse kishte takime tjera pos atyre që u panë. Pati shumë siklet te PDK e Çitaku por ende nuk kemi përgjigje për pyetjen e deputetëve që u bë dje se a kishte takime tjera, publike ose jopublike?“, ka shkruar Rexhaj në Facebook.

    Deputeti tërthorazi ka hedhur dyshime ndaj PDK-së e ish-presidentit Thaçi, i cili nga partia në pushtet akuzohej vazhdimisht për ndarje të Kosovës.

    Bëhet fjalë për një hulumtim ku thuhet se edhe politikanë nga Kosova kanë dhënë para dhe po ashtu dihet edhe konteksti i zhvillimeve të mëdha politike në Kosovë e aventurave për ndarjen e Kosovës“, ka shkruar ai.

    “Vlora Çitaku e PDK duhet të deklarohen për këto pyetje!”, u shpreh Rexhaj.

    Ndërkohë, Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi i ka kërkuar llogari nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovës për një takim me McGonigal. Abrashi publikoi në Facebook dy fotografi, ku Çitaku shihet në praninë e McGonigal.

    Ndërsa i menjëhershëm ka qenë reagimi i Çitakut.

    Ajo ka sqaruar foton, duke treguar detaje se për çka ka qenë eventi dhe kush kanë qenë folësit, si dhe nderi që i është bërë Kosovës me ftesën në këso ngjarje.

    Në atë kohë, viti 2017, Çitaku ka qenë ambasadore në SHBA.

    “Një përpjekje qesharake e eksponentëve të VV-së për të shpërndarë mjegull. Me 4 Tetor 2017 jam ftuar zyrtarisht të flas para oficerëve dhe kadetëve të FBI për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve në luftimin e sfidave rajonale dhe globale. Folës kemi qenë unë dhe Henry Kissinger”, ka shkruar Çitaku.

    Çitaku në fund nuk e ka lënë pa e përmendur rastin e Martin Berishajt, emri i të cilit po përmendet në shumë skandale.

    “Ngjashëm jam ftuar edhe në State Department, CIA etc. Ky ka qenë nderë që i është bërë Kosovës. E tash, si e keni Martinin?”, shtoi ajo.

    Kush është McGonigal?

    Ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal po përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.

    Akuza tjetër lidhet me 2 shqiptarë, pasi zyrtari i lartë i FBI, po hetohet për marrjen 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish agjent shqiptar i inteligjencës në kohën e komunizmit, dhe mosdeklarim të shumës së dollarëve, për të cilat ky i fundit pretendon se ia ka dhënë borxh.

    Ndërkohë përsa i përket Shqipërisë, përkundër akuzave që opozita shqiptare ka bërë sa i takon korruptimit të Mc Gonigal nga Agron Neza biznesmen shqiptaro-amerikan (ish punonjës i inteligjencës shqiptare në kohën e komunizmit) për llogari të kryeministrit Rama, në aktakuzën e autoriteteve amerikane nuk flitet fare për korrupsion por për mosdeklarim të të ardhurave nga ish zyrtari i FBI-së.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark