×
  • Lajme
  • Lajme

    Richard Grenell: Njerëzit në DASH janë të frustruar me Kryeministrin Kurti

    Insajderi
    18 September 2023 - 17:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish -Emisari i Presidentit Trump për bisedimet Kosovë -Serbi Richard Grenell, në një intervistë për T7 ka komentuar rreth takimit të 14 shtatorit në Bruksel.

    Ai thotë se të dyja palët janë fajtore që s’pati progres, por thekson se komuniteti ndërkombëtar është unik sa i përket veprimeve të Kurtit në Veri – i kanë dënuar ato.

    Sipas Grenell, në Departamentin Amerikan të Shtetit, njerëzit që punojnë aty, janë të frustruar me Kryeministrin Kurti, duke paralajmëruar se do të ketë pasoja për të.

    Grenell thotë se është admirues i Presidentit Thaçi ndërsa thekson se ai ndodhet në Hagë për shkak të urretjes së ish -Kryeprokurorit Jack Smith ndaj ish -Presidentit Trump. Grenell ka folur edhe për Marrëveshjen e Uashingtonit në 3 vjetorin e saj. Thotë se administrata e Biden bëri një gabim rreth ujdisë që u nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë.

    Intervista e plotë

    T7: Javën e kaluar u shënua 3-vjetori i marrëveshjes së 4 shtatorit 2020 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën ju ndërmjetësuat. Si e komentoni moszbatimin e shumë dispozitave të marrëveshjes nga të dyja palët?

    R. Grenell: Mendoj se në fillim lajmi i mirë është se Administrata e Joe Biden, kur erdhi në pushtet pas Presidentit Trump, priti marrëveshjet dhe tha se këto janë gjëra të mira, kështu që kjo ishte një hap i madh, pasi tani të dyja partitë, Republikanët dhe Demokratët, i pritën këto marrëveshje si një hap pozitiv. Ishte vërtet një hap i rëndësishëm dhe sigurisht që është i mirë për popullin e Kosovës që të ketë mbështetjen e Republikanëve dhe Demokratëve për përparimin në normalizimin ekonomik. Mendoj se shkak për këtë ishte marrëveshja në të cilën negociuam një moratorium prej një viti, kështu që Kosova nuk do të përpiqej për një vit të kërkonte nga ndonjë organizatë ndërkombëtare ose vend për të mbështetur pavarësinë e saj dhe në të njëjtën kohë nuk do të kishte një fushatë de-legjitimimi nga qeveria e Serbisë. Ata nuk do të kërkonin që njerëzit të mos njihnin më Kosovën. Pra, do të zbatonim një ndalim për një vit. Vizioni ishte se gjatë këtij viti të parë, kishim nevojë të bënim shumë progres. Viti i parë ishte vërtet i rëndësishëm. Por, Administrata e Joe Biden nuk emëroi asnjë person për të mbikëqyrur këtë marrëveshje. Nuk kishte person të emëruar nga Departamenti i Shtetit, nuk kishte person të emëruar nga Presidenca për të mbikëqyrur këtë. Dhe kështu, mendoj se kjo ishte një problem. Kur Administrata e Joe Biden injoroi Kosovën, Serbinë dhe gjithë rajonin e Ballkanit, vërtetë pamë një mungesë të vullnetit politik, sepse nuk kishte presion. Qëndrimi i Joe Biden ishte që Evropa dhe Brukseli duhet të merrnin udhëheqjen dhe SHBA-të duhet të tërhiqeshin prapa. Mendoj se kjo është një ide e tmerrshme për popullin e Kosovës dhe Serbisë dhe për gjithë rajonin që SHBA-të të thonë publikisht se nuk do të jenë më udhëheqës në këto negociata. Mendoj se njerëzit që ndjekin këtë intervistë, të gjithë kuptojnë se ka shumë fjalë nga Evropianët dhe BE-ja, por jo shumë veprime. Amerikanët sjellin veprime, ne jemi më të pa-durueshëm. Ne shtyjmë të dyja palët të bëjnë gjëra. Kur Joe Biden vendos të mos kujdeset për rajonin dhe të tërhiqet prapa dhe të lejojë Evropianët të marrin udhëheqjen, mendoj se kemi parë gjatë tre viteve të fundit që ka qenë një katastrofë.

    T7: Të enjten e kaluar, dialogu mes Kurtit dhe Vuçiqit ishte i pasuksesshëm  në Bruksel. Sipas jush, kush prej tyre është përgjegjës për mungesën e progresit në këtë proces?

    R.Grenell: Të dyja palët janë fajtore, nuk ka dyshim për këtë. Por tani komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar që Albin Kurti ka ndërmarrë veprime unilaterale në veri. Mendoj se gjermanët, francezët, evropianët në përgjithësi, kemi parë KFOR, forcat e NATO-s, administratën e Joe Biden, Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit, të gjithë e kanë dënuar Albin Kurtin për veprimet e tij në veri. Ai nuk po merr vendime të mira për të krijuar një atmosferë të paqes. Unë isha në pjesën veriore, duke shtyrë serbët të mbështesnin idenë që oficerët e policisë e Kosovës që ishin arrestuar dhe mbajtur duhet të liroheshin. Nuk mendoj se ishte një veprim i mirë për të krijuar një atmosferë të paqes. Prandaj i pamë të lirohen dhe mendoj se është një gjë e mirë. Por komuniteti ndërkombëtar ishte i qartë se nuk duhet të kemi njësitë speciale, mund të kemi policë që patrullojnë zonën veriore, por nuk mund të dërgoni njësite speciale që qarkullojnë rreth ndërtesave komunale në Kosovë. Kjo është çfarë tha komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë forcat e NATO-s. Ata i kërkuan z. Kurti që menjëherë të zhvillojë zgjedhje të vërteta atje, jo zgjedhje të rreme që janë bërë. Kjo nuk është bërë. Ne e dimë që për vite të tëra janë bërë marrëveshje të shumta për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Kjo nuk është bërë, kështu që Albin Kurti ka ndryshuar reputacionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. E di që ka shumë njerëz në Kosovë që e duan Albin Kurtin dhe më pëlqen mesazhi i tij kundër korrupsionit dhe pastrimit të qeverisë së Kosovës, ka shumë korrupsion në Ballkan, dhe më pëlqen ky aspekt. Më pëlqen që flet për përfshirjen e të rinjve. Dhe sigurisht që kemi parë shumë të rinj të përfshirë. Por të mos kemi dyshim, Albin Kurti ka ndërmarrë veprime unilaterale që kanë sjellë dënimin nga komuniteti ndërkombëtar si kurrë më parë. Kosova ka qenë gjithmonë një mik unik për SHBA-të, por të kesh dënim nga Departamenti i Shtetit i Joe Biden dhe Demokratët, të kesh dënim nga Shtëpia e Bardhë e Joe Biden dhe Demokratët ndaj një udhëheqësi të Kosovës është e paprecedentë dhe e tërë unike, dhe populli i Kosovës duhet ta kuptojë se deklarata e 3 qershorit që komuniteti ndërkombëtar bëri, duke kërkuar nga Albin Kurti të ndalojë veprimet unilaterale dhe të ndërmarrë hapa specifikë… ai nuk e ka bërë këtë, dhe do të ketë pasoja. Dëgjoj këtë në mënyrë të vazhdueshme nga Departamenti i Shtetit dhe njerëzit që punojnë aty, janë shumë të frustruar me Albin Kurtin.

    T7: Zoti Grenell, meqë përmendët Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, a duhet të themelohet pa kompetenca ekzekutive, siç thonë aleatët e Kosovës dhe sipas jush, a e cenon kjo sovranitetin e vendit?

    R.Grenell:Mendoj se është shumë e rëndësishme që të huajt si unë të mos diktojnë shumë detaje. Duhet të ketë fleksibilitet që themelimi i kësaj organizate të ketë mbështetjen e qeverisë së Kosovës, qeverisë së Serbisë dhe popullit. Kështu që nuk do të diktoj detaje.

    T7: Hipotetikisht, nëse zoti Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, a do të vazhdonit të bashkëpunoni me kryeministrin Kurti, duke marrë parasysh mbështetjen e tij të hapur për Biden dhe thirrjen e tij drejtuar shqiptaro-amerikanëve që të votojnë për demokratët në 2020?

    R. Grenell: Ne kemi një qeveri në kohën e caktuar. Joe Biden është presidenti, ai merr të gjitha vendimet. Ne do të kemi një debat shumë të shëndetshëm për kë do të jetë presidenti i ardhshëm. Por kjo është një gjë hipotetike dhe absolutisht nuk mund të përgjigjet. Joe Biden do të jetë presidenti i ardhshëm sigurisht deri në janar 2025, do ta dimë në nëntor të vitit 2024 nëse do të ketë një president të ri

    T7: E kuptoj, e bëra pyetjen sepse muajin e kaluar kryeministri Kurti deklaroi se marrëveshja përfundimtare duhet të arrihet para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në SHBA, por kjo nuk duket shumë e arritshme, apo jo?

    R.Grenell: Mendoj se duhet të jemi në gjendje të arrijmë një marrëveshje menjëherë. Do të doja të shihja Kurtin të punojë më ngushtë me qeverinë e tanishme të SHBA-së sepse ata kërkojnë që ai të ndalojë veprimet unilaterale. Ai nuk po bindet nga Joe Biden dhe Departamenti i Shtetit. Dhe tani, shihni, e them këtë me një sinqeritet te jashtëzakonshëm, të ketë trupa të NATO-s në Kosovë nuk është gjithmonë një gjë e mirë për te ardhmen. Nëse doni të zhvilloni ekonominë tuaj, nëse doni që bizneset të vijnë dhe të ofrojnë punë të paguara mirë. Bizneset nuk shkojnë në një vend ku siguria duhet të mbrohet nga forcat e NATO-s. Kjo nuk është një mesazh i mirë që po dërgoni. Duhet të jeni në gjendje të keni paqe dhe mbrojtje pa kërkesa nga forcat e jashtme. Është një mesazh i tmerrshëm për të rritur ekonominë tuaj duke pasur forcat e NATO-s. Kur isha përfaqësuesi për dialogun, e bëra të qartë që po mundoheshim të heqnim trupat e NATO-s. Ne donim normalizim ekonomik, donim progres, donim një fluturim mes Prishtinës dhe Beogradit. Të gjitha këto gjëra që ishin që të heqnim trupat e NATO-s, që kompanitë nga Bashkimi Evropian dhe Amerika të njihnin se Kosova është një vend ku duhet të zgjerojnë dhe të rrisin kompanitë e tyre dhe të krijojnë punë të paguara mirë. E di që ka shumë biznesmenë në Kosovë që janë shumë punëtorë dhe me ide të mëdha. Dua të shoh bizneset e tyre të rriten. Mendoj se populli i Kosovës është shumë punëtor dhe rezistent. Ata do të ishin punëtorë të mrekullueshëm për disa nga kompanitë perëndimore që vijnë, por ato nuk po vijnë në një vend ku ka trupa të NATO-s për shkak të dhunës, kështu që duhet të kuptojmë se duhet të heqim këto trupa. Do të mbështesja një marrëveshje të mirë mes palëve.

    T7: Ndryshojmë temën për pyetjen e fundit, ish-presidenti Thaçi ka tre vite që ndodhet në paraburgim në Hagë, i akuzuar për krime lufte. A e keni ndjekur procesin dhe a keni pasur ndonjë komunikim të fundit me të?

    R.Grenell: Kam ndjekur procesin dhe sigurisht që jam një admirues i Presidentit Thaçi. Joe Biden e quajti atë George Ëashington e Kosovës. Kjo është një kompliment shumë i bukur. Ai nuk duhet të jetë në burg. Ai nuk duhet të jetë nën arrest nga Gjykata e Hagës. Mendoj se Jack Smith, ish-kryeprokurori, shkoi përtej dhe e bëri këtë sepse urren Donald Trumpin dhe e dinte se ishim afër për të bërë një marrëveshje. Po ashtu pajtohem me Edi Ramën, kryeministri i Shqipërisë, sepse ai është revoltuar që evropianët ende mbajnë Thaçin. Kjo, për evropianët, është një dëmtim i vërtetë për reputacionin. Nuk mund të thuash që je pro një sistemi të drejtësisë të mirë që është i ndershëm dhe i drejtë nëse mban Thaçin për tre vjet. Kjo është një turp për Hagën dhe duhet të ketë më shumë zëra në Evropë dhe në komunitetin ndërkombëtar dhe fajtor e mbaj Jack Smith.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark