×
  • Lajme
  • Kulturë
  • Insajderi

    Rikthimi i Prishtinës së vjetër – Fillojnë punimet në “Rrugën Model”

    Insajderi
    19 October 2020 - 18:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Sarandë Selimi

    Rruga “Mehmet Kaquri”, në qendër të pjesës së vjetër të kryeqytetit kosovar, ka filluar rikonstruktimin rrënjësisht.

    Në të dy pjesët e saj ka dyqane argjendarie dhe dyqane me veshje nusërie. Aty përveç pamjes së mahnitshme që pritet të bëhet nga projekti i realizuar nga organizata joqeveritare CHwB Kosova, do të kthehet edhe nostalgjia për kohët e vjetra që prishtinasit kanë skalitur në memorien e tyre.

    “Rruga Model”, sipas asaj që është prezentuar nga kjo organizatë është rruga e parë,  por jo e fundit që në të do të shohim rikthimin e të kaluarës.

    Përveç kalldrëmeve që do t’i rikthehen kësaj pjesë aty do të vendosen edhe fasada të reja për dyqanet dhe ndriçim i ri.

    Ndonëse me vonesë, puna tashmë ka filluar në këtë pjesë të vjetër të Prishtinës.

    Janë 276 mijë e 529 euro, që kanë marrë dy kompani vendore për rikonstruktimin e kësaj hapësire.

    “Albi Company Sh.p.k” dhe “Mirusha Company Sh.p.k”, janë ato që do ta jetësojnë projektin e hartuar nga CHwB Kosova në janar të këtij viti.

    “Ky projekt do të mundësojë rikthimin e autenticitetit të kësaj zone, duke shpresuar që ky model do të replikohet edhe në hapësirat e tjera historike të kryeqytetit tonë”, kishin shkruar në njoftimin e janarit CHwB Kosova.

    E paraparë të nis pas disa muajsh nga publikimi i projektit,  pandemia Covid-19 ndërroi çdo plan të Komunës së Prishtinës.

    Ndonëse rikonstruktimi do të kishte nisur më herët se në vjeshtë, drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës, i kanë thënë Gazetës Insajderi, se ka qenë kërkesë e banorëve që të mos punohet gjatë verës, andaj punimet janë shtyrë kaq shumë kohë.

    “Punimet në rrugën model kanë filluar dhe çdo gjë po shkon mirë. Për shkak të pandemisë nuk kemi mundur të fillojmë më herët dhe ka qenë kërkesë e disa prej banorëve që mos të punohet verës”, ka thënë për Gazetën Insajderi, drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Blerta Basholli.

    Basholli, ka treguar edhe në lidhje me objektet tjera përreth pjesës së vjetër të Prishtinës, e po ashtu rrugës që është duke u rikonstruktuar “Mehmet Kaquri”, të cilat janë nën mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend, se janë në konsultim gjatë gjithë kohës me Ministrinë e Kulturës, për mbrojtjen e tyre.

    “Jemi në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës që të intervenohet edhe në atë ndërtesa”, është shprehur ajo.

    Në momerandumin e mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe CHwB Kosova më 27 prill të vitit 2018-të, parashihej që fillimisht të bëhej përcaktimi i kufijve të Qendrës Historike të Prishtinës e më pas të ofrohej mbështetje e trashëgimisë kulturore nëpërmjet projekteve.

    Kujtojmë se tashmë është miratuar edhe buxheti për vitin 2020 nga Komuna e Prishtinës, buxhet ky në vlerë të 85 milionë eurove, ku në të përfshihen vazhdimet e projekteve që kanë filluar, si dhe theks i veçantë  i është dhënë edhe “Tregut të Gjelbër”, që i bie në anën e djathtë të rrugës “Mehmet Kaquri”, pamja e të cilës po rikthehet në të kaluarën./ Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark