Pasi eliminoi Leicesterin dhe siguroi kalimin në finalen e Conference League, që do të luhet në “Air Albania” më 25 maj, Roma është bërë protagoniste e një gjesti mjaft të bukur në raport me tifozërinë.
Kështu klubi italian ka vendosur t’u japë bileta falas për finalen e Tiranës, 166 tifozëve që ishin në Norvegji më 21 tetor, për të ndjekur një nga ndeshjet më të dobëta të skuadrës verdhekuqe, atë të humbur 6-1 ndaj Bodo/Glimt, pikërisht në grupet e Conference League.
Këtë nismë e ka njoftuar vetë klubi verdhekuq, që ndër të tjera ka deklaruar se me pjesën tjetër të biletave në dispozicion, do të hedhë një shorte për të shpërblyer tifozët e abonuar gjatë këtij sezoni në “Olimpico”.
Kujtojmë se Mourinho bëri kurban për këtë ndeshje Marash Kumbullën, të cilën e injoroi publikisht në sytë e të gjithë në kamera pas ndeshjes.
Kjo bëri që më vonë Kumbulla të qëndronte vetëm rezervë, por me durim dhe shumë punë në stërvitje, arriti ta fitonte prapë besimin e portugezit.
Së fundmi me anë të një njoftimi në profilin e saj zyrtar të rrjetit social “Tëitter” njoftimin e rëndësishëm për tifozët e saj për finalen e madhe të 25 majit. Në njoftimin e publikuar nga verdhekuqtë thuhet se nga tani e deri në orën 13:00, tifozët e abonuar për këtë sezon do të kenë mundësinë e regjistrimit për në linkun që do t’i japë të drejtë atyre për të siguruar një biletë në finalen e Tiranës.