Më datë 25 maj në finalen e Conference League e cila do të zhvillohet në Tiranë në stadiumin kombëtar, Air Albania do të vihen përballë Roma dhe Feynoord. Italianët e kaluan me sukses “testin” Leicester me të besuarit e trajnerit Jose Mourinho të cilët pasi kishin barazuar 1-1 në Angli, ia dolën të triumfonin me rezultatin 1-0 në Olimpico falë një goli të Tammy Abraham.
Sulmuesi realizoi në minutën 11-të me kokë, duke ndezur festën në stadium. Ndërkohë, të besuarit e teknikut portugez ditën të menaxhonin në mënyrën më të mirë të mundshme rezultatin dhe pavarësisht presionit në rritje nga Leicester në minutat e fundit, sërish ia dolën të ruanin qetësinë dhe të sigurojnë biletën për në Tiranë.
Nga ana tjetër, Feynoord shfrytëzoi në maksimum triumfin 3-2 në shtëpi përballë Marseille teksa në Francë dhe holandezëve iu mjaftoi një barazim pa gola për të festuar biletën e finales. Tashmë, Roma dhe Feynoord do të masin forcat në Tiranë me kryeqytetin shqiptar që përgatit të mirëpresë dhe shijojë atmosferën fantastike të tifozerisë italiane dhe holandeze.