×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Rozeta Hajdari s’bëhet rehat, e emëron Sekretarin e shtatë që prej se erdhi në pushtet

    Insajderi
    22 May 2023 - 17:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari s’po bëhet rehat me Sekretarë të Përgjithshëm. Ajo e ka emëruar Daut Latifajn për Sekretarin e shtatë në këtë ministri. Emërimi është bërë në kundërshtim me Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura. Kjo, pasi që pozita e Sekretarit të Përgjithshëm parashihet të zëvendësohet nga drejtori i njërit nga departamenteve, teksa Latifaj deri në momentin e emërimit ka qenë zyrtar i lartë në Departamentin për Investime Strategjike.

    vendimin që ka siguruar Gazeta Insajderi, i lëshuar të premten, njoftohet për emërimin e Latifajt në pozitën e zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm. Kësisoj, ministrja Hajdari e liron nga pozita ushtruesin e deritanishëm të detyrës se sekretarit, Rexhep Bllacën.

    “Z. Daut Latifaj emërohet zëvendësues i Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Me hyrje në fuqi të këtij vendimi shfuqizohet vendimi me nr. Protokollit Nr.5119-01 datë 23.08.2022 për emërimin e z. Rexhep Bllaca zv. Sekretar i Përgjithshëm në MINT”, thuhet në vendim.

    Avancimi i Latifajt, zyrtar në Departamentin e Investimeve Strategjike, në pozitën e zëvendësit të sekretarit del të jetë i kundërligjshëm. Kjo, meqë Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura parasheh që në këtë pozitë mund të vijë vetëm drejtori i një prej departamenteve të ministrisë, e jo zyrtari.

    “Sekretari i Përgjithshëm, në rast mungese, zëvendësohet nga drejtori i një prej departamenteve të ministrisë, i caktuar me shkrim nga vetë Sekretari. Në rast pamundësie shëndetësore, drejtori i departamentit që zëvendëson Sekretarin e Përgjithshëm caktohet me shkrim nga ministri”, precizohet në ligjin në fjalë.

    Latifaj bëhet sekretari i shtatë që ka ardhur në këtë pozitë në ministrinë e Hajdarit, që nga ardhja e Qeverisë Kurti I dhe II në pushtet.

    Sekretari i parë që ishte zgjedhur me konkurs në MINT ishte Burim Rreci, të cilin e shkarkon pas dy muajve emërim.

    Në vend të tij, ushtrues detyre vjen Irfan Lipovica, si i dyti në pozitën e sekretarit, të cilin më pas e shkarkon.

    Me ardhjen në pushtet në Qeverinë Kurti, në mars të 2021-ës Rozeta Hajdari vazhdon punën me u.d. të Sekretarit të Përgjithshëm. Në këtë pozitë e sjell Gentiana Islamajn, të cilën e shkarkon nga pozita për të vazhduar sërish me Irfan Lipovicën.

    Lipovica, i cili bëhet sekretari i katërt i emëruar, shkeljeve të njëpasnjëshme me rezerva shtetërore, projektin e bankës botërore dhe pagesën e borxhit prej 12-mijë euro të shkollimit në AUK me para të ministrisë shkarkohet pas një viti.

    Personi i pestë i destinuar për këtë pozitë është Arbër Gegaj, i cili pas transferimit nga një institucion tjetër në MINT në maj të vitit të kaluar. I njëjti u shkarkua pas vetëm tre muajsh.

    Sekretari i gjashtë i Përgjithshëm që emërohet në ditën e shkarkimit të Gegajt është Rexhep Bllaca, i cili i “rezistoi” ministres Hajdari deri të premten e kaluar.

    I shtati dhe i fundit deri më tani është i sapoemëruari jashtëligjshëm, Daut Latifaj, i cili bartte pozitën e Zyrtarit të Lartë për Planifikim dhe Zhvillim në kuadër të Divizionit për Investime Strategjike.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar të enjten MINT-in për ta pyetur lidhur me shkarkimin e Bllacës nga pozita e u.d. sekretarit, mirëpo nga kjo ministri e kanë mohuar një gjë të tillë.

    Mediumi ka kontaktuar edhe të hënën (sot) MINT-in për të marrë përgjigje lidhur me fatin e Bllacës por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka marrë përgjigje.

    Insajderi ka kontaktuar edhe me të sapoemëruarin në pozitën e u.d. sekretarit, Daut Latifajn, por as ai nuk iu është përgjigjur pyetjeve. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark