×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Rrëfimet interesante të deputeteve që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë: Ka disa vite që s’na ftojnë në ceremoninë zyrtare

    Insajderi
    17 February 2023 - 18:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Ne udhëheqësit e popullit tonë të zgjedhur në mënyrë demokratike nëpërmjet kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”.

    Kjo deklaratë u lexua në ora 15:39, nga ish-kryeministri i Kosovës në atë kohë, Hashim Thaçi, më 17 shkurt të vitit 2008.

    Pas kësaj, u dëgjuan duartrokitje të shumta ku emocionet e gëzimi i kishte përfshirë të gjithë deputetët e të pranishmit në sallën e Kuvendit të Kosovës.

    Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.

    Pas tyre, radhën e kishin edhe deputetët.

    Për ndjenjat, emocionet e momentin e shumë pritur në atë ditë, Front Online ka biseduar me disa ish-deputetë të cilën kanë nënshkruar deklaratën e Pavarësisë e që më nuk janë pjesë e politikës.

    Ish-deputetja e PDK-së, Sala Berisha-Shala dhe ajo e LDK-së, Melihate Tërmkolli.

    Berisha-Shala e Tërmkolli, kanë rrëfyer momente nga më të ndryshmet të asaj dite dhe përjetimet e tyre e të cilat thonë se nuk mund t’i përshkruajnë me fjalë.

    Berisha-Shala: Nga emocionet nuk mund të gjeja hapësirë për ta nënshkruar deklaratën e Pavarësisë, më ndihmuan Thaçi, Sejdiu e Krasniqi.

    “Data, ora e dita mbahej sekret. Por, përgatitjet e jashtëzakonshme tashmë bëheshin. Kurse, ne si deputetë ishim në pritje bazuar në informatat që kishim, për aq sa lejonin rrethanat”.

    Kështu e nis rrëfimin e saj ish-deputetja e PDK-së, Sala Berisha-Shala, për 17 shkurtin, ditën e shpalljes së Pavarësisë.

    Ajo, thotë se pavarësisht që nuk e dinte datën e saktë, çdo gjë vërehej pasi brohoritjet e qytetarëve, e përgatitjet e jashtëzakonshme që bëheshin tregonin gjithçka.

    Ndërsa, ka rrëfyer momentin kur iu është përmendur emri nga kryetari i Kuvendit të asaj kohe, Jakup Krasniqi i cili e kishte ftuar për ta nënshkruar deklaratën, por se deputetja nga emocionet nuk gjente hapësirë që të vendoste nënshkrimin e saj.

    Këtë moment e kujtoj me shumë emocione të mëdha, të përziera, të papërshkruara. Të të ofroj fati i jetës që me dorën tënde të firmosësh histori janë raste të rralla. 17 shkurti i vitit 2008 dhe deklarata e Pavarësisë, tani është histori. Në këtë histori unë e kam emrin dhe nënshkrimin tim. Nga emocionet nuk mund të gjeja hapësirë për vendosjen e firmës në dokumentin e deklaratës. Atë moment më kujtohet se më erdhën në ndihmë ata që ishin përballë, kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e presidenti Fatmir Sejdiu”, ka deklaruar Berisha-Shala.

    Ndërsa, thotë se personat e parë që i uroi për shpalljen e pavarësisë kanë qenë çlirimtarët e për të cilët thotë se ishin më meritorët e aktit madhështor për shtetin e Kosovës.

    Përmend, bashkëshortin Ferat Shalën dhe vëllezërit e saj.

    Pa lënë anash të gjithë personat e tjerë që i kishte në listën e celularit të saj.

    Berisha-Shala: Çlirimtarët nuk janë në burg, në burg është Kosova

    Ish-deputetja e PDK-së, Sala Berisha-Shala ka folur edhe për procesin në të cilin po kalojnë ish-udhëheqësit e UÇK-së.

    Thotë se asnjëherë nuk i ka shkuar mendja që siç thotë ajo bërësit e shtetit do të gjinden në beteja të tilla.

    Asnjëherë nuk më ka shkuar mendja se pikërisht çlirimtarët, bërësit e shtetit do të gjinden në beteja të tilla. Ajo çka është më e dhimbshme se disa mediokër këtë angazhim të tyre për shtetin e kanë mirëpritë duke i fërkuar duart e iu gëzuar faktit me u bë me dreqin e t’birin për pak ‘opium’, pushteti. Ata nuk janë në burg. Në burg është Kosova. Tani derisa ata të kthehen në Kosovë, vendi po kalon situatën më të rëndë që ka pasur ndonjëherë pas çlirimit”, është shprehur ajo, për Front Online.

    Sipas saj, nëse shikohet historia e vendit çlirimtarët e vërtetë nuk janë trajtuar asnjëherë meritueshëm në liri.

    Kurrë s’kam menduar që çlirimtarët mund të vijnë në këtë situatë. Nga ana tjetër, po të shohim historinë tonë sa të dhimbshme aq të lavdishme, pothuajse asnjëherë çlirimtarët e vërtetë nuk janë trajtuar meritueshëm në liri. Prandaj, edhe burgosja e tyre, mund të kuptoj që është pjesë e procesit historik të lindjes dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës”, ka thënë ndër të tjera ish-deputetja.

    Kurse, ka thënë se është e pakëndshme që Pavarësia të festohet pa personat të cilët ishin pjesë e aktit historik të shtet-bërjes.

    Kur gjendesh në betejë festat janë ndryshe. Ndërkohë, ai front i asaj beteje po zhvillohet larg Kosovës. Megjithatë lavdia e luftërave të drejta nuk mund të zbehet e zhbëhet. Të festosh pavarësinë e Kosovës, pa njeriun që lexoi deklaratën dhe pa shokët e tij është ndjenjë e keqe, pra është situatë sa emocionale, aq e ndjeshme. Është moment që të rikthen në kujtime, në periudha të ndryshme të rrugëtimit të tyre bashkë me Kosovën”, ka pohuar ajo.

    Mesazhi i ish-deputetes: Politika aktuale të lirohet nga “opiumi i pushtetit”

    Ish-deputetja Sala Berisha-Shala në 15-vjetorin e Pavarësisë ka pasur edhe një mesazh për politikën aktuale.

    Ajo, ka kërkuar që e njëjta të jetë me transparente me qytetarët dhe e kujdesshme me partnerët strategjikë.

    Politika aktuale të lirohet nga “opiumi i pushtetit”, të bëjë më shumë për qytetarin, ta kontrollojë këtë opium që e ka shty në shkarje të dëmshme në emër të “ç kapjes”, e ka fut në grackën e së keqes “kap gjithçka”, për interesa meskine. Politika aktuale të bëjë dallimin në mes rivalitetit politik partiak dhe luftës në mes tyre që mund të shpie në vet shkatërrim. Pozitë e opozitë të bëhen bashkë për çështje madhore për shtetin dhe qytetarët e tij”, ka thënë Berisha-Shala, për Front Online.

    Tërmkolli: Shpallja e Pavarësisë emocion i veçantë, data është mbajtur në konfidencë

    Emocionet e saj për ditën e shpalljes së Pavarësisë, i ka treguar në një rrëfim edhe ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli.

    Ajo, thotë se datën se kur do të shpallej pavarësia nuk e kanë ditë, por që do të ndodhte shpejtë e kishin kuptuar.

    Ndërsa, deklaron se ai minutë kur është bërë shpallja ishte shumë i veçantë.

    Natyrisht që ka qenë një moment i mirë, i rëndësishëm, një moment edhe me emocione edhe ndjenja të mira, edhe diçka që duhej të ndodhte pas krejt asaj pune që ishte bërë, ishin edhe dekada edhe vite , por natyrisht formalizmi i Pavarësisë ishte një emocion natyrisht shumë i mirë, i veçantë. Edhe kjo pak a shumë si ajo që e thash më herët. Për të gjithë ata që ishin pjesë e Lëvizjes Shqiptare sidomos pas asaj lëvizjes masive që nga vitet 90-ta e deri në pavarësi nuk ishte diçka e papritur sepse i tërë projekti ishte mbërri, por si moment natyrisht edhe si të them ai minutë ishte shumë i veçantë edhe do të mbetet i veçantë në kujtesën besoj të gjithsecilit që e kemi bë nënshkrimin e deklaratës së Pavarësisë”, është shprehur Tërmkolli për Front Online.

    Por, nuk e kujton se kujt ia uroi së pari Pavarësinë.

    Të them të drejtën nuk e di personi i parë sepse kur u bë shpallja ata kolegë që kemi qenë afër kemi fillua menjëherë me i bë urimet edhe ata deputetë që i kam pas afër kanë qenë deputetë të LDK-së, natyrisht edhe pastaj me të gjithë të tjerët pavarësisht partisë politike”, ka thënë Tërmkolli.

    Tërmkolli: Ibrahim Rugova ishte arkitekt i Pavarësisë, të tjerët vetëm e formalizuan

    Pothuajse gjithë meritën kryesore për Pavarësinë e shtetit Tërmkolli ia dedikon presidentit Ibrahim Rugova.

    Por, thotë se askush nuk e kishte menduar që presidenti Rugova nuk do të ishte nënshkruesi i parë i deklaratës së Pavarësisë.

    Thotë se procesi u vazhdua, pasi që do të duhej të vazhdohej nga të tjerët por se kjo tani u bë formalisht.

    Së pari njeriu kryesor i cili ishte arkitekt i Pavarësisë së Kosovës se ka menduar askush që presidenti Ibrahim Rugova nuk do të ishte nënshkruesi i parë i deklaratës së Pavarësisë dhe i shpalljes natyrisht, pra jo vetëm nënshkrues por edhe ta shpallet dhe siç thoshte de facto e kemi por edhe njohjen de juro, kështu që ironia më e madhe për mua, por edhe për krejt shqiptarët ka qenë pikërisht që ai kishte shkuar dy vite më herët. Natyrisht, pastaj me të tjerët e vazhduam këtë proces, por që do të jenë ata që e bënë edhe formalisht shpalljen si kryeministri Thaçi, kryetari i Kuvendit, por edhe të tjerët dhe sigurisht në atë kohë nuk besoj që dikush do ta ketë menduar që do të akuzoheshin në Hagë, pra nuk besoj që ka pas dikush që do ta mendonte një gjë të tillë, kështu që mendoj që është një përgjigje që do ta jepte secili”, është shprehur ajo.

    Ish-deputetja ka folur edhe për ish-çlirimtarët që po akuzohen në Hagë, duke thënë se jo vetëm për të, por për asnjë qytetar të vendit nuk është gjë e mirë.

    Natyrisht jo vetëm për mua si individ, por për këdo qoftë për vendin tonë nuk është mirë, nuk është ndjenjë e mirë që janë në Hagë, nuk është diçka që na bën me u ndi mirë, përkundrazi, sidomos njerëzit që pavarësisht edhe gabimeve edhe lëshimeve janë njerëz që e kanë bërë shpalljen formale të pavarësisë edhe nuk është mirë që janë në Hagë edhe nuk janë këtu. Në fakt ne e ndjejmë edhe për të gjithë ata që kanë sakrifikua për vend edhe nuk janë, edhe nuk kanë qenë edhe në atë ditë në nënshkrimin e Pavarësisë sepse e kam thënë edhe po e përsëris vazhdimisht se nuk jemi ne ata deputetë që e nënshkruam aktin e Pavarësisë, nuk jemi ne të vetmit ata që e bëmë, në fakt Pavarësinë e Kosovës e ka nënshkruar krejt populli i Kosovës me punën e vet, me jetën e vet, me sakrificën e vet kështu që merita e Pavarësisë i takon krejt shqiptarëve”, ka shtuar Tërmkolli.

    Tërmkolli: Ka vite që nënshkruesit e deklaratës së Pavarësisë nuk ftohen në ceremoninë e kësaj ngjarje

    Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli ka pasur edhe një mesazh në 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

    Ajo, ka thënë se nuk duhet të harrohet e kaluara, pasi që nga kjo mund edhe të përsëritet historia, gjë të cilën thotë se nuk do ta dëshironte asnjëherë.

    Po harrojmë krejt çka ka bërë ky popull edhe duke harruar ndonjëherë është thënë që ata popuj që harrojnë ju përsëritet historia, unë natyrisht nuk do të doja as të mendoja që të ndodhin gjëra të tilla, por ndonjëherë po harrojmë edhe si shoqëri jo vetëm si politikë po harrojmë edhe në çka kemi kaluar edhe që nuk ka qenë kjo bash e lehtë, po harrojmë me pas edhe një njohje ndaj krejt atyre miqve tonë edhe aleatëve tonë që kanë kontribut të jashtëzakonshëm në arritjen e lirisë edhe Pavarësisë së vendit tonë, po harrojmë në kuptimin që jo vetëm të jemi mirënjohës por edhe ta vazhdojmë dhe ta kultivojmë edhe më tutje miqësinë dhe aleancën”, ka thënë ajo për Front Online.

    Sipas saj, asnjë shtet nuk ka mbërri duke filluar nga e para dhe thotë se kjo gjë po e përcjell Kosovën.

    Kjo harresa kushton shumë sepse asnjë shtet nuk ka mbërri duke filluar gjithmonë nga e para dhe neve sikur po na përcjell një lloj fati jo i mirë që secili që vjen në pushtet me fillu nga e para dhe kjo është humbje e madhe e energjisë, është humbje e madhe edhe material por mbi të gjitha rezultatet gjithherë janë më të dobëta dhe natyrisht që politika duhet të jetë shumë shumë e kujdesshme që duke çmuar dhe duke vlerësuar të djeshmen të bëjë sa më shumë edhe për të sotmen por edhe për të nesërmen”, ka shtuar Tërmkolli.

    Ka treguar se nënshkruesit e deklaratës së Pavarësisë nuk ftohen asnjëherë në seancë solemne.

    Ka vite që nënshkruesit e deklaratës as nuk ftohen në ceremoninë ose në datën kur festohet në Parlament të Kosovës dhe s’kisha thënë asgjë më tutje”, është shprehur ish-deputetja Tërmkolli.

    Leximi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës është bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në prani të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, dhe Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu në mbledhjen e mbajtur në kryeqendrën e Kosovës – Prishtinë, më 17 shkurt të vitit 2008.

    Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në mënyrë unanime prej deputetëve të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës.

    Njëmbëdhjetë deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën e votimit. Nëntë përfaqësues të pakicave tjera etnike ishin pjesë e kuorumit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark