Luftëtari dhe politikani Ramush Haradinaj është nga ata që ka provuar thuajse gjithçka në jetën e tij, varfërinë, luftën, plagosjen, vrasjen e më të dashurve, emigrimin, punën e rëndë, burgosjen, postin e kryeministrit, dorëheqjen dhe prap nuk është tërhequr, por sfida te tjera i ka vënë vetes dhe e presin në të ardhmen.
Që në moshë të hershme familja e Ramush Haradinajt u përball me agresionin serb, çka e bëri atë të kërkonte vazhdimisht mundësinë për të mbrojtur, siç e thotë ai familjen e vendin e tij. Ramush Haradinaj komandant në Zonën Operative të Dukagjinit rrëfen se kush ishte shtysa e angazhimit të tij dhe e gjithë familjes së tij në luftë.
“Unë kam qenë 12 vjeç atëherë në 1980 kur u burgos axha, baca Smajl Haradinaj, pastaj djemtë, edhe vajzat dhe e gjithë familja. Dhe që atëherë ishte një ndryshim i madh në ish-Jugosllavi, ka qenë dhe më herët po sidomos në 80-n një ndryshim i madh. Edhe familja jonë u identifikua ashtu, u pozicionua si një familje që në atë kohë e quanin seperatiste, ndarëse, që donin me e nda Kosovën nga ish-Jugosllavia. Nuk ishim ne brezi i parë. Edhe breza të tjerë e kishin atë rrugëtim ashtu, për të mirën e shqiptarëve, për të mirën e kombit. Po pastaj unë gjatë shkollës fillore gjithë kohën kam qenë i ballafaquar me faktin se i takoja një familje që kishte dale kundër shtetit, që vepronim kundër shtetit.”, ka rrëfyer ai për Euro News Albania.
“Pra që fëmijë vetvetiu mbetëm anash, mbetëm në anën tjetër që i bie në anën kundërshtuese. Ndërsa në vitet 90, kur u larguan krejt shqiptarët prej pune, edhe baba u largua prej pune, mbante një dyqan. Pra disi rrugët e shqiptarëve të Kosovës me ish-Jugosllavinë e atëhershme u ndanë dhe filloi rezistenca paqësore e njohur si LDK, e prirë prej presidentit Rugova. Por po ashtu, në të njëjtën kohë filluan dhe plot grupe me planet e tyre kundërshtuese më luftarake deri edhe tek guerilat e parë, e rastisi që edhe ne si familje të jemi të parët në ato guerilat e hershme. Flas për vitin 91,92,93,94,” – tregoi Haradinaj.
Gjatë luftës së fundit familja e Hilmi Haradinaj i dha dy dëshmorë Kosovës, Luanin dhe Shkëlzenin.
Dauti së bashku me Rexhep Selimin dhe Mujë Krasniqin, prezantuan për herë të parë UÇK-në publikisht. Edhe pse Ramush Hardinaj në përpjekje për të mbrojtur fshatin e tij Gllogjanin, i cili u sulmua pas Prekazit e familjes Jashari, u plagos rëndë, momenti më i vështirë për të është humbja e vëllezërve.
“Nëse nuk do të luftonim do të vriteshim më shumë. E ka pasur bindjen që me armë dikush edhe shpëton por pa luftuar dhe pa armë do të vdisnim të gjithë. Dhe ishte e pritur që ato që ndodhën në Bosnje më herët e nëpër Kroaci ku u vranë dhe asgjësoheshin zona të tëra atëherë edhe ne këtu në Kosovë e kemi bindur veten se edhe ndaj nesh do të ndodhin edhe shumë më keq. Vetëm ata që luftojnë mund të shpëtojnë”, tha Haradinaj.
Sfidat për të kanë qenë të shumta. Dy herë Ramush Haradinaj u zgjodh kryeministër i Kosovës, dy herë dha dorëheqje prej këtij posti.
Dy herë është përballur me tribunalin e Hagës dhe dy herë ka dalë i pafajshëm.
“Gjatë kohës që u thirrën në Hagë, z. Thaci, Z. Veseli, Jakup Krasniqi u diskutua shumë nëse po përbaltej lufta apo është një proces individual,” – tha gazetarja Mulaj teksa pyeti Haradinajn për këndvështrimin e tij.
“Të them të drejtën këto janë të përziera si procese. Edhe pse ndodh që akuzat u drejtohen individëve, këta individë përbëjnë një udhëheqje të asaj që njihet si lufta jonë për liri dhe ajo luftë është në themel të asaj kush jemi, të pavarësisë së Kosovës. Ka rrezik të madh që përgjatë këtyre proceseve, të dobësohet dhe të dëmtohen themelet e asaj se kush është Kosova, kush janë shqiptarët në Ballkan. Pra të deformohet e vërteta e luftërave në Ballkan. Forcat e Serbisë dhe të Millosheviçit ishin ato qe kanë kryer krimet. Në këto aktakuza që i drejtohen individëve në rast konkret serish ekspozohet gabim ose nxirret gabim e vërteta e luftës së Kosovës, drejtësia e luftës sonë. Ne kemi luftuar së pari për të mbetur të gjallë vetë, për të mbajtur gjallë familjet tona, njerëzit e pambrojtur të këtij vendi, pra është absurd i madh që të ndodhen shqiptarët e Kosovës përpara filtrave të drejtësisë edhe më tej,” – u shpreh Haradinaj.