×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Rrezikohet shëndeti i 70 mijë qytetarëve”, Vetëvendojse në Vushtrri thotë se QKMF-ja ka shkelur rëndë ligjin

    Insajderi
    26 November 2022 - 16:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Komuna e Vushtrrisë e drejtuar nga Partia Demokratike e Kosovës para dy jave përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se në Qendren e Mjekësisë Familjare në këtë komunë ofrohen shërbime sipas udhëzimit administrativ për Kujdesin Parësor Shëndetësor, shkruan Insajderi.

    Por, këtij statusi iu kundërpërgjigj ashpër dhe me akuza opozita në Vushtrri, saktësisht dega e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Asamblisti i Kuvendit Komunal në Vushtrri nga radhët e VV’së, Sylejman Meholli ka akuzuar Drejtorinë për Shëndetësi dhe Përkujdesjes Sociale se ka shkelur ligjet për shëndetësi dhe se ka rrezikuar rëndë shëndetin e rreth 70 mijë qytetarëve.

    “Komuna e Vushtrrisë, Drejtoria për Shëndetësi dhe Përkujdesjes Sociale, përkatësisht QKMF, kanë shkelur rëndë ligjet për shëndetësi që përcaktojnë organizimin e punës në këtë fushë në Republiken e Kosovës, duke rrezikuar rëndë shëndetin publik të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës në përgjithësi”, shkroi ai.

    Meholli i cili drejton edhe degën e Vetëvendosjes në këtë komunë, tha se në QKMF janë ofruar shërbime shëndetësore laboratorike pa specialist të biokimisë klinike. Gjë që bie në kundërshtim me rregullat dhe ligjin për shëndetësi, shkruan Insajderi.

    “Duke ofruar shërbime shëndetësore laboratorike pa specialist të biokimisë klinike në kundërshtim me ligjet në fuqi nga 17.06.2022 e deri më sot, këto institucione kanë bërë shkelje të shumta ligjore, njëherit skandalin më të madh në shëndetësinë e Vushtrrisë që kur ajo ka memorie institucionale dhe kolektive”, ka thënë ai.

    Tutje, ai ka thënë se qytetarët që kanë bërë analizat në laboratorin e QKMF-së, janë të rrezikuar të marrin rezultate të pasakta.

    “Duke punuar analiza pa specialist të biokimisë klinike, QKMF Vushtrri dhe Komuna e Vushtrrisë, kanë shkelur jo vetëm mbi ligjet dhe etikën mjekësore, por kanë shkelur edhe mbi parimet dhe normat e protokolleve mjekësore, praktikat e mira, standardet dhe cilësitë e sistemit unik shëndetësor të përcaktuara me ligjin për shëndetësi. Po ashtu me mijra e mijra qytetarë të Komunës së Vushtrrisë që në këtë periudhë kanë kryer analiza në laboratorin e QKMF-së, janë rrezikuar të marrin rezultate jo të sakta dhe jo profesionale”, ka shkruar Meholli në Facebook.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në Drejtorinë e Shëndetësisë në Vushtrri, por, të njejtin deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark