Investimet kineze vazhdojnë të rriten në Ballkan, por transparenca e tyre mbetet e dyshimtë, thuhet në raportin e fundit të Insitutit Evropian për Studimet e Sigurisë, që mban titullin “Korrupsioni në rajon dhe lidhja me Kinën”.
Ndërsa institucionet europiane përpiqen të promovojnë rregulla të qarta për çdo 500 euro shpenzime, në mënyrë që të sigurohen se përdorimi i parave publike do të bëhet në mënyrën më efikase të mundshme, kontratat e autostradave të ndërtuara nga kinezët, që mbërrijnë në shifra deri në 500 milionë euro, vendosen pa tender, sqaron raporti.
Një prej ngërçeve më të mëdha rezulton të jetë miratimi i legjislacioneve ad hoc, në mënyrë që të plotësohen kërkesat e Pekinit, çka krijon hapësira që nuk përputhen me normat e BE-së. European Ëestern Balkans citon ministrinë serbe të infrastrukturës, të pohojë se kompanitë nga Kina kanë përfituar në rajon kontrata për ndërtime autostradash e hekurudhash, që shkojnë në 5,5 miliardë euro.
Ky nuk do të ishte një problem, nëse firmave kineze, kontratat nuk do t’u jepeshin direkt nga qeveritë, në vend që t’i nënshtroheshin një procesi konkurrues oferte.
Një prej tyre, ‘Sinhydro Corporation’, pjesë e listës së zezë të Bankës Botërore, ka firmosur një marrëveshje me ekzekutivin maqedonas, për ndërtimin e një autostrade në vend.
“Projekti duhej financuar nga një hua e bankës shtetërore ‘China Exim Bank’, për 85 % të vlerës së tij, e do të vihej në jetë nga Sinhydro,” thuhet në raport, por vetëm tani vonë është zbuluar se kostoja e projektit ishte fryrë deri në shifrën e 120 milionë eurove.
E njëjta bankë, vazhdon shkrimi, ka garantuar një hua prej 1 miliard eurosh, për Malin e Zi, të cilat do të derdhen në sektorin e rrugës që lidh portin e Tivarit me kufirin serb.
Kompanitë kineze, sidoqoftë nuk fajësohen dot shumë për situatën, edhe pse nuk përmbushin norma e vlera të caktuara, siç është mungesa e transparencës, vazhdon artikulli, ndërsa BE-ja nuk kundërshton, sepse i nevojitet një rajon i stabilizuar me një ekonomi të begatë.