×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Sa të sigurta janë produktet e mishit dhe ato bimore në Kosovë? – ekspertët japin detaje

    Insajderi
    11 February 2023 - 10:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Trupi i njeriut ka nevojë të konsumoje vazhdimisht sasi të konsiderueshme ushqimi, të cilat i japin atij materiale te nevojshme për formimin e energjisë. Por, ne jo shpesh jemi të mirinformuar në lidhje me sigurinë e produkteve që konsumojmë. Në lidhje me këtë temë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, dhe kryetarin e Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku.

    Në pikat e shitjes së produkteve, dyqane apo supermarkete jo rrallë hasim në produkte të cilave iu ka skaduar afati i përdorimit.

    Sipas zyrtarit për Informim nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi ata kujdesen që vetëm ushqimet që plotësojnë kriteret ligjore të qarkullojnë në treg.

    Ai tha se ushqimi i sigurt nuk ka alternativë.

    “Të gjitha veprimet qe AUV ndërmerr në praktikë, janë të rregulluara me ligje dhe të obligueshme për ne si autoritet në implementim. Vetëm ushqimet të cilat i plotësojnë kriteret ligjore të sigurisë lejohen të qarkullojnë ne treg”, tha ai për Insajderin.

    Thaçi tha se tek kontrolli i produkteve veprojnë dy inspektorate. Ai shpalosi gjithashtu edhe procedurën e kontrollit të produkteve.

    “Në kontrollin e produkteve nga importi veprojnë dy inspektorate ai veterinarë dhe fitosanitar.  Procedura e kontrollit përfshin; dokumentacionin e ngarkesës,  i cili duhet të jetë origjinal, ku në të përfshihet certifikata shëndetësore, certifikata e origjinës së produktit si dhe dokumentacioni tjetër përcjellës që dëshmon sigurinë e produktit për konsum”, tha zyrtari i AUV-it, për Insajderin.

    Por çka ndodh me produktet e importuara që nuk i plotësojnë kriteret e lartshënuara?

    Ai tha se pavarësisht vendit të origjinës, në momentin që produkti është në kundërshti me kërkesat ligjore, nuk mund të futet për qarkullim në territorin e RKS-së.

    “Një produktet që është në kundërshtim me kërkesat ligjore, pa marre parasysh  vendin e origjinës,  si i tillë nuk mund të pranohet të futet për qarkullim/përdorim në territorin e Republikës së Kosovës”, shtoi tutje Thaçi.

    Sa produkte janë asgjësuar nga tregu qysh nga fillimi i vitit?

    Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thanë se prej janarit e deri më tani janë asgjësuar 168 kilogramë prej produkteve me origjinë shtazore.

    Ndërkaq nga produktet me origjinë bimore janë asgjësuar 37 kilogramë.

    “Në ketë fillim vit deri me tani janë asgjësuar 168 kg produkte me origjinë shtazore qe i nënshtrohen kontrollit veterinar dhe 37 kg produkte me origjinë bimore qe i nënshtrohen kontrollit sanitar dhe fitosanitar  Të gjitha ngarkesat me produkte ushqimore, kafshë dhe bimë të cilat importohen ne mënyrë të rregullt i nënshtrohen kontrollit të inspektorëve të Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë”, pohoi Thaçi për Insajderin.

    “Kemi përvoja të hidhura me produkte si qytetarë e familje konsumatore”

    Në lidhje me sigurinë e produkteve ushqimore në Kosovë, Insajderi ka kontaktuar edhe me kryetarin e Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku.

    Sipas tij, pavarësisht se AUV, siguron për produktet ushqimore, konsumatorët kanë pasur përvoja të hidhura.

    “Sipas angazhimeve, përvojave…dhe sigurimit që na e deklaron AUVK-ja, produktet ushqimore që qarkullojnë në treg, që ofrohen në markete, dyqane, tregje të gjelbra…janë të sigurta. Por, ne si qytetarë e familje konsumatore kemi edhe përvoja të hidhura. Për fat të keq me to  kompetentët nuk po merren pamjaftueshëm”, ka thënë Kaçaniku për Insajderin.

    Kaçaniku ka treguar edhe se nga çka varet siguria e ushqimit sipas tij. Ai tha se është vullneti, përkushtimi dhe shitësit.

    Ai tha se, insititucionet , mekanizmat dhe infrastruktura e cilësisë nuk janë mjaftueshëm të motivuara për ta mbrojtur ekonominë, tregun dhe konsumatorin.

    “Mekanizmat, infrastruktura e cilësisë nuk janë mjaftueshëm të  motivuara as të mbështetura për të qenë në nivel të mandatit dhe për ta mbrojtur ekonominë, tregun, qytetarin dhe familjen konsumatore. Jo rrallë ato janë të politizuara ndaj vendinet e tyre janë, shpesh herë, mbi kushtetutën, mbi ligjet…dhe mbi kauzën, të drejtat dhe mbi dinjitetin e qytetarit konsumator”, tha ai për Insajderin.

    Çka duhet të merret parasysh nga konsumatorët që të jenë më të sigurtë në blerjet e tyre?

    Kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, tha se qytetarët duhet t’i ngjeshin radhët rreth organizatave për mbrojtjen e konsumatorit.

    Gjithashtu të vetdijësohen për kauzën, të mos jenë marioneta të partive politike.

    ” Ata duhet t’i ngjeshin rradhët rreth organizatave të tyre për mbrojtjen e konsumatorit. Bashk të vetëdijësohen për kauzën, të drejtat e obligimet dhe për intereset e dinjitetin e tvre. Mos të jenë marioneta as vazal të partive politike”, tha ai.

    Kaçaniku më tutje tha se ka mungesë të inspektorëve të ushqimit, por sipas tij me vetëdijesimin e qytetarëve gjithçka do të ishte ndryshe.

    “Thonë se jo. Por, me vetëdijësimin e qytetarit/familjes konsumatore çdo gjë do të ishte ndryshe Por, ja edhe një dëshmi se ndokush nuk e do qytetarin/familjen konsumatore të vetëdijësuar”, tha për fund ai./Gazeta Insajderi

         

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark