×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    Samir Mane dhe Shefqet Kastrati blejnë 90% të aksioneve të ‘INSIG JETË’

    Insajderi
    04 May 2017 - 09:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    90% e aksioneve të shoqërisë së sigurimeve “INSIG Jetë” tashmë do të zotërohen nga dy sipërmarrës Samir Mane( 45%) dhe Shefqet Kastrati (45%), ndërsa 10% e aksioneve do t’i mbeten në pronësi shoqërisë Eurosig ( si aksionarja e vetme aktualisht).

    Eurosig bleu në maj të vitit 2016 dy licencat e INSIG, jetë dhe jo jetë, pasi fitoi tenderin e shpallur nga qeveria, që deri në atë kohë ishte pronare e INSIG.

    Transaksioni i shitjes së Insig Jetë nuk është reflektuar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit, por lajmi është konfirmuar nga presidenti i shoqërisë Eurosig dhe Insig, Kadri Morina, i cili tha për “Monitor” se ka qenë interesi i këtyre dy sipërmarrësve për të diversifikuar portofolin e tyre të investimeve.

    E ndërsa për Samir Manen, kreun e shoqërisë ‘Balfin Group’ kjo është një iniciativë e re, për pronarin e shoqërisë Albsig, Shefqet Kastrati sigurimet janë një terren i njohur, pasi ai është aksioner i Albsig.

    Sipas Morinws futja e këtyre dy sipërmarrësve do t’i japë një frymëmarrje të re segmentit të Jetës, e cila ka një peshë të ulët në treg.

    Në fund të muajit mars primet e shkruara bruto të sigurimit të Jetës zinin rreth 7.3% të totalit të tregut, duke i lënë Jo- Jetës rreth 92.6%.

    Por, interesi i këtyre dy biznesmenëve të njohur në vend për INSIG nuk është i ri.

    Në tenderin që qeveria shpalli për shitjen e kësaj kompanie, përveç Eurosig ( që fitoi pasi dha ofertën më të lartë 2.2 miliardë lekë) në garë ishin edhe Kastrati dhe Albsig (joint venture) me 1.5 miliardë lekë; Recovered Earth Technologies & Duraku shpk – me 2.15 miliardë lekë dhe Balfin sh.p.k me 1.65 miliardë lekë.

    Deri në atë kohë qeveria shqiptare kishte tentuar disa herë të shiste INSIG, por, pa sukses. Deri sa në maj të 2016 pas një procedure tenderimi Eurosig u shpall fitues i blerjes së 100% të aksioneve të INSIG, që përfshinte si kompaninë e sigurimeve të jetës, ashtu dhe atë të jo-jetës.

    Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në fillim të vitit deklaroi se 2017-a do të ishte një vit i rëndësishëm për tregun e sigurimeve pasi do të formalizohej ndarja e INSIG në jetë dhe jo – jetë.

    Sipas të dhënave të AMF-së, në fund të tremujorit të parë Insig zotëronte rreth 7.7% të tregut të Jetës nga rreth 6.5% që kishte në periudhën janar – mars 2016. Aktori kryesor në tregun e jetës është Sigal Life me rreth 63% të tregut të primeve, i ndjekur nga Sicred, me rreth 30%. Tregu i jetës është i pazhvilluar në Shqipëri dhe në vitin 2016, të ardhurat nga primet në këtë segment ishin rreth 7 milionë euro, ose rreth 6.3% e gjithë tregut të sigurimeve (rreth 93% e zë tregu i jo-jetës), sipas të dhënave nga AMF.

    Ndërsa në sigurimet e Jo – Jetës, INSIG në periudhën janar – masr 2017 çoi në rreth 7.2% zotërimet në treg nga rreth 5.8% që kishte një vit më parë.

    Ndryshimet e statusit tw INSIG 2009-2016

    2009 – INSIG sh.a. ndryshoi pronësinë e aksioneve, të cilat zotëroheshin në masën 100% nga Ministri i Financave.

    2015 – INSIG sh.a. ndryshoi pronësinë e aksioneve, të cilat zotëroheshin në masën 100% nga Ministria e Ekonomisë.

    2016 – INSIG sh.a. privatizohet dhe ndryshon pronësinë e aksioneve , të cilat zotëroheshin në masën 100% nga Shoqëria e Sigurimeve “EUROSIG” sh.a. /monitori.al

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Biznes
    21 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark