Makinat sportive dhe të shtrenjta janë padyshim një objektiv tërheqës për hajdutët, por së fundmi policia britanike mësoi se ky nuk është një rregull.
Një lagje e qetë rezidenciale në Irlandën e Veriut u zgjua e tronditur nga zhurma e sirenave dhe përplasjeve, ndërsa banorët panë me sytë e tyre se si një makinë zjarrfikëse shkatërronte gjithçka që i dilte përpara.
Madje, një prej tyre përshkroi ngjarjen si një skenë nga loja e famshme elektronike “San Andreas”.
Policia lokale tha se në fillim nuk po i besonte dot raportimeve për një zjarrfikëse të çmendur që po mbillte kaos në rrugë dhe agjentët e mbërritur në vendngjarje konfirmuan se nuk kishin parë kurrë diçka të tillë.
Mësohet se makina u vodh nga një stacion zjarrfikës në County Antrim dhe me sirena e drita ndezur hajduti e ngau drejt makinave të parkuara në rrugë dhe shtëpive të zonës.
Sipas policisë, janë arrestuar dy persona në lidhje me ngjarjen, një pensionist 66-vjeçar dhe një adoleshent 19-vjeçar.
Policia nuk bëri të ditur identitetin e tyre apo rrethanat e ngjarjes, ndërsa hetuesit thanë se duan të sigurohen plotësisht për atë që ka ndodhur para se të publikojnë gjithçka.