Ndërtuesve të Aeroportit të Vlorës, pritet t’u hapet rruga për nisjen e punimeve që muajin e ardhshëm. Pjesë e procedurës së përshpejtuar në parlament, projektligji u diskutua në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese.
Në mbrojtjen e projektigjit, miratimi i të cilit u hap rrugë negociatave me konsorciumin turk, ishte i pranishëm Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri.
Ministri theksoi se investimi parashikohet të hapë të paktën 1 mijë vende pune. Vlera e investimit të aeroportit është 100 milionë euro. Ministri tha se, “Investimi është tërësht privat. Ne do të marrim risk minimal për projektin. Gjithsesi gjithçka do të bëhet transparent në momentin e duhur. Lidhur me afatin e kontratës kjo është një çështje teknike që do të negociohet nga grupi teknik”, shkruan BusinessMagazine.
Pa dashur të bëjë të ditur detaje, të cilat sipas ministrit cenojnë interesat e investitorit, Gjiknuri ka nënvizuar se projekti është serioz e do të përballojë fluksin e rritjes së transportit ajror në vend.
Komisioni ka dhënë ndërkohë autorizimin për përcaktimin e termave përfundimtarë mes qeverisë shqiptare dhe konsorciumit turk, duke kaluar kështu për votim në seancën e ardhshme plenare.
Vlora nuk pritet të jetë qyteti i vetëm i ri në hartën e aeroporteve. Saranda pritet të ketë një aeroport turistik, sipas ministrit. Ai ka theksuar se përsa i përket kërkesës për një aeroport në qytetin e Sarandës, është kontraktuar një kompani për studimin e fizibilitetit dhe në Sarandë mund të kemi një aeroport turistik.