×
  • Lajme
  • Lajme

    Saranda Ramaj merr çmimin “Rexhai Surroi” për gazetari

    Insajderi
    22 December 2022 - 14:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gazetarja e KOHËS, Sarandaj Ramaj ka marrë çmimin “Rexhai Surroi” për gazetari. Ajo këtë çmim e ka marrë me hulumtimin me titull “Abuzimi me fondin për trajtim jashtë vendit”.

    Ramaj ka thënë se KOHA i ka thënë të gjitha sa u përket keqpërdorimeve në këtë fond, duke shtuar se tashmë u mbetet institucioneve përgjegjëse të kryejnë punën e tyre.

    “Ne në KOHË i kemi thënë të gjitha dhe ju mbetet institucioneve përgjegjëse për ta adresuar dhe besoj që hetuesia të dalë së shpejti me rezultate konkrete. Para se të aplikojë këtu e kam pasur një dilemë. E kam pasur një hulumtim tjetër dëmi i të cilit ishte 44 milionë euro dhe ishte bërë vetëm me një nënshkrim. E mendova në fillim që duhet të aplikoja me atë, por pastaj e mendova se a ka diçka më të rëndësishme se jeta e njeriut. Kur dalim gazetarët e Kohës me marrë shpërblime dalim si individë. Por në redaksi punon i gjithë ekipi për një storie. Unë kam diskutuar shumë më kryeredaktoren Brikenda Rexhepi, redaktorin që i ka kontrolluar tekstet, Elmaz Isufi dhe kolegët me të cilët kam diskutuar”, ka thënë ajo.

    Ajo ka shtuar se gazetarëve u mbetet shumë punë për të bërë në sektorin e shëndetësisë, por edhe në sektorë të tjerë.

    Ramaj gjatë vitit 2022 ka realizuar shumë hulumtime e tema në interes të publikut. Ato lidhen me korrupsion, me parregullsi në sistemin e drejtësisë, me keqpërdorime në shëndetësi e në fushën e prokurimit dhe me dhunën ndaj vajzave e grave.

    Ramaj ka qenë autore e hulumtimit që zbardhi keqpërdorimet e miliona eurove të shtetit në emër të pacientëve të sëmurë rëndë. Hulumtimi i nisur nga gazetarja në vitin 2021, është përmbyllur në fundin e muajit maj të vitit 2022. Seria e gjatë e hulumtimit është titulluar ‘Abuzimet me Fondin për Trajtim Jashtë Vendi’.

    Hulumtimi prej 16 pjesëve ka skanuar secilën hallkë të shëndetësisë publike. Ky hulumtim ka zbuluar mënyrën e paligjshme të funksionimit të Programit për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike. Ky program paguar miliona euro spitalet private për sëmundjet që nuk trajtohen në sistemin publik.

    Megjithatë programi nuk ka asnjë kontroll mbi paratë që paguhen. Hulumtimi ka zbardhur që pagesat bëhen në mënyrë të parregullt, faturat ‘fryhen’ e ka dyshime nëse pacientët marrin shërbimin për të cilin paguan shteti.

    Pjesë e këtij hulumtimi kanë qenë shumë familje që kanë pasur nevojë për ndihmën e shtetit. Një pjesë të tyre u kanë vdekur fëmijët gjatë trajtimit e ata kanë rrëfyer për vështirësitë që kanë kaluar.

    Fondi zyrtarisht paguante çdo gjë për këtë pacientë, por rrëfimet e familjarëve dëshmuan qartë, jo veç për vjedhje të buxhetit të atyre që nuk kanë mundësi të trajtohen në Kosovë, por edhe varfërim të familjeve që mundohen të ju bëjnë zgjidhje fëmijëve të sëmurë.

    Hulumtimi ka zbardhur mënyrën se si pacientët janë rekrutuar nga spitalet në Turqi, kush qëndron pas këtyre agjencive dhe çfarë kishin me institucionet shtetërore.

    Përveç kësaj hulumtimi ka faktuar mënyrën se si referohen pacientët nga QKUK-ja: për mungesën e një bari në vlerë të 30 eurove janë paguar dhjetëra mijëra për shkak që sëmundja ka avancuar, janë paguar dhjetëra mijëra euro për një spital privat për shkak që askush nga stafi nuk ia ka dërguar pacientit të hospitalizuar një mostër të gjakut në repartin afër për ta kryer një analizë e cila kryhet në së paku 10 klinika në QKUK, ose qindra mijëra euro janë paguar në muaj për një spital privat për shkak që Klinika e Ortopedisë nuk e kishte një tavolinë stabile që kushtonte vetëm 18 mijë euro.

    Pas hulumtimit pati reagime të shumta të institucioneve shtetërore. Prokuroria e Shtetit nisi hetime. Qeveria e Kosovës shkarkoi bordin e vjetër të Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Bordi i ri shkarkoi drejtorin e përgjithshëm. Ortopedia bleu tavolinën dhe filluan ndërhyrjet. U ndaluan referimet e jashtëligjshme.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark