×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Sarrazin: Kosova dhe Serbia të kthehen në tavolinë për ta zbatuar Marrëveshjen e Ohrit

    Insajderi
    13 October 2023 - 09:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    I ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka thënë se pas zhvillimeve të 24 shtatorit situata në Kosovë vazhdon të mbetet deri diku e rrezikshme.

    Sarrazin ka thënë se kërkojnë masa shpërkallëzuese nga të dy palët.

    “Situata është deri diku e rrezikshme. Kjo është arsyeja pse ne po kërkojmë masa shpërshkallëzuese nga pala serbe, por deri diku edhe nga pala kosovare. Ne kemi premtimin e qartë nga Serbia, se nuk do të bëjë ndonjë budallalëk dhe të përfshijë ushtrinë apo policinë serbe në Kosovë. Kështu që ne po shpresojmë që situata do të jetë nën kontroll tani, por duhet të bëjmë hapa më tej me masa shpërshkallëzuese për të mbajtur situatën të qetë dhe për t’u kthyer sërish në një atmosferë produktive”, ka thënë Sarrazin në një intervistë për DW.

    Ai thotë se Serbia duhet ta bëjë të qartë se nuk do të bëjë përpjekje për dhunë ndaj Kosovës dhe po ashtu duhet të ketë një ndjekje penale të autorëve të sulmit të 24 shtatorit.

    “Nga njëra anë, duhet të kemi masat shpërshkallëzuese. Serbia duhet ta bëjë të qartë se nuk do të bëjë përpjekje për dhunë ndaj Kosovës. Duhet të ketë një ndjekje penale të autorëve të sulmit të 24 shtatorit. Dhe gjithashtu është e qartë se diçka e tillë nuk duhet të përsëritet dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet të angazhohet më shumë që njerëzit në veri të Kosovës të ndihen të sigurt. Natyrisht, kemi edhe çështje të hapura me palën kosovare lidhur me kryetarët e bashkive dhe policinë speciale, këto janë gjëra që duhet të adresohen. Pra, duhet të flitet për këto çështje, por vetëm trajtimi i këtyre çështjeve nuk do ta zgjidhë problemin. Kështu që ne duhet të kthehemi në tryezë për të zbatuar marrëveshjen Ohrit, e cila ishte një kthesë historike, në shkurt të këtij viti, dhe nuk është zbatuar deri tani. Pra, ne po përpiqemi t’i bëjmë të dyja: nga njëra anë, duke bërë presion për një shpërshkallëzim në terren, por duke mos e lënë këtë përshkallëzim të situatës të kalojë, që të mos flasim më për rezultatin dhe duam që të dyja palët të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të bien dakord mbi një udhëzyes për zbatimin e marrëveshjes”, është shprehur Sarrazin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark