×
  • Lajme
  • Lajme

    Taksa e Kosovës po e shkatërron ekonominë e Serbisë – rënie drastike e importit

    Insajderi
    20 December 2018 - 11:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kur po bëhen një muaj që nga vendimi i qeverisë për vendosjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, numri i mallrave nga këto dy shtete që kanë hyrë në Kosovë është dukshëm më i vogël se vitin e kaluar.

    Përkundër taksës së madhe, Kosova po vazhdon të importojë nga shteti serb sidomos lëndë të parë.

    Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka bërë të ditur për Gazetën Insajderi se deri më tani nga Serbia janë zhdoganuar 145 kamionë, kurse në Bosnja 29 tjerë.

    Por që këta kamionë të hyjnë në Kosovë kanë paguar shuma të mëdha parash, për taksën e vendosur.

    Për kamionët e hyrë nga Serbia janë paguar rreth 250 mijë euro taksë, kurse nga Bosnja afro 42 mijë.

    “Nga Serbia janë zhdoganuar 145 deklarata doganore, janë paguar 250,508.87 euro taksë mbrojtëse. Nga Bosnja janë zhdoganuar 29 deklarata doganore, janë paguar 41,085. 52 euro euro taksë mbrojtëse”, ka thënë Stavileci.

    Ai ka bërë të ditur se këto mallra janë kryesisht lëndë e parë, që Kosova po e importon nga shteti serb.

    Vlera e këtyre mallrave ka qenë rreth 290 mijë euro. Kurse vetëm një muaj më herët, nga Serbia dhe Bosnja kishin hyrë mallra në vlerë 40 milionë euro.

    “Kthime ka pasur vetëm në fillim për shkak se nuk kanë qenë të informuar mbi vendosjen e taksës Vlera e mallrave ishte rreth 290.000 mije euro, derisa me herët nje muaj nga Serbia dhe Bosnja ishte rreth 40 milion euro mesatare”, ka thënë Adriatik Stavileci për Insajderin.

    Ndryshe Qeveria e Kosovës, deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, e cila vazhdon të mbetet në fuqi, pavarësisht faktit se ky vendim ka nxitur reagime të ashpra të serbëve në Kosovë dhe të autoriteteve në Beograd dhe Sarajevë.

    Por, edhe mekanizmat ndërkombëtarë si Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që të hiqet taksa, duke e konsideruar atë si shkelje të Marrëveshjes për Tregti të Lirë, të njohur si CEFTA.

    Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërkaq ka përsëritur qëndrimin se tarifa ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, nuk do të hiqet deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës. /Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark