×
  • Sport
  • Sport

    “S’di çfarë të bëj më shumë”- Batatina kërkon të bëhet trajner i Kombëtares së Kosovës

    Insajderi
    23 November 2023 - 10:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Tahir Batatina, trajneri i skuadrës së Superligës së Kosovës, KF Llapi, ka shprehur dëshirën për të drejtuar skuadrën kombëtare dardane.

    Përmes një shkrimi në Facebook, Tahir Batatina ka thënë se brenda një periudhe 10-vjeçare, ai ka fituar trofe e ka prodhuar lojtarë profesionistë.

    Prandaj, thotë ai, “nuk e di se çfarë duhet të bëj më shumë si trajner” për të qenë drejtues i Dardanëve.

    “Nuk di se çfarë duhet të bëj më shumë si Trajner me 10-vite karrierë, punë, organizim, disiplinë, trofe dhe lojtarë të trajnuar e të përgatitur profesionalisht duke iu besuar në moshë të re e duke i ngritur deri tek Kombëtarja. Më mirë sot sepse nesër do të jetë vonë. Vitet ikin, koha kalon dhe nuk na duhet dikush pa ndjenja të vij tek Kombëtarja A. Çdokush që vjen tek Kombëtarja A, duhet të ketë diçka më shumë në punën dhe zejen e trajnerit për ta pasur besimin ta ngrit Kombëtaren tonë të shenjtë”, u shpreh mes tjerash Batatina në reagim.

    “A mund të më tregoj dikush se çfarë lideri duhet me qenë? A mundem ta di se cilat janë kriteret për një Selektor? Çka duhet të bëjmë më shumë për të na dhënë besimin? A nuk po e duam vetë kualifikimin apo nuk po u besojmë njerëzve tanë?”, pyeti trajneri i Llapit.

    Batatina tha se nuk do që të shkelet mbi njohuritë e trajnerëve vendorë, e as të nënvlerësohen të njëjtit “vetëm pse jemi lindur e rritur në vendin tonë dhe se kemi luftuar për një vend të lirë dhe demokratik”.

    Ai thotë se trajnerët vendorë kanë sakrifikuar për futbollin e Kosovës dhe rininë e vendit, “andaj do të jetë e papranueshme nëse sërish do vijë një Selektor pa ndjenja, pa vizion dhe pa bagazh që ta menaxhojë Kombëtaren tonë siç ishin këta deri sot”.

    “Nuk na besuat me vite kur ne rritëm dhe zhvilluam talentë. Nuk na besuat kur ne ngritëm dhe avancuam futbollin të cilin e kishim dhe e kemi ende si obligim profesional dhe kombëtar, por nuk pranoj të nënvlerësohemi sikurse futbollistët e Superligës tonë me vite të tëra. Njëri lojtar i skuadrës, Muhamet Hyseni, të cilin unë e stërviti shënon golin më të mirë të këtyre ndeshjeve të ciklit kualifikues kurse tjetri, Ilir Krasniqi largon topin në momentet vendimtare të ndeshjes nga vija fatale e portës… A i stërviti këta djem dikush tjetër kur morën ftesë nga Kombëtarja? A ishin Zyba, Dellova, Krasniqi, Hyseni – shembulli më i mirë se kë stërvitim ne? A di dikush të më tregoj a duhet ta zbulojmë ujin e nxehtë apo çka të bëjmë më shumë për futbollin? A duhet të na besohet Kombëtarja ndonjërit prej nesh që jemi duke dhënë gjithçka për futbollin dhe për këta djem apo të sjellni njerëz të harxhuar në Kombëtare?”.

    Në fund, ai tha se Kombëtares së Kosovës i duhet energji pozitive dhe njerëz me ide për të ardhmen “që dhanë gjithçka për vendin dhe atdheun, përndryshe nuk ka zgjidhje, vetëm katandisje e rezultate dëshpëruese”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark