×
  • Sport
  • Sport

    Seferi: Ndaj Çekisë duhet të japim shpirtin në fushë, kemi sulmin më të fortë ndonjëherë

    Insajderi
    09 October 2023 - 13:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Është një nga sulmuesit e kombëtares kuqezi, i grumbulluar për dy ndeshjet e muajit tetor. Sidoqoftë, sytë dhe veshët e të gjithë shqiptarëve janë nga sfida eliminatore e 12 tetorit ndaj Republikës Çeke në “Arena Kombëtare”, sepse vlen shumë për kualifikimin në finalet e “Euro 2024”.

    Pastaj është miqësorja ndaj Bullgarisë, më 17 tetor, e cila do të shërbejë për të kolauduar skemat e lojës së trajnerit Sylvinho dhe përdorur ata që kanë pasur më pak hapësira. Taulant Seferi është i bindur se ky është sulmi më i mirë që ka pasur kombëtarja shqiptare, ndaj pret gola. Luan apo jo vetë, këtë e lë në dorë të trajnerit Sylvinho, por pranon se konkurrenca është e madhe.

    Nga konferenca për shtyp, tetovari kuqezi nënvizoi mes të tjerash: “Në kombëtare ka konkurrencë, jemi grup i fortë lojtarësh. Përsa iu përket lojtarëve që do të aktivizohen në formacionin titullar, këtë e vendos trajneri. Neve na ngelet vetëm të punojmë shumë, të presim të mobilizuar totalisht se kush do të startojë apo jo.

    Janë edhe 3 finale në këtë fushatë eliminatoresh, por fokusi ynë është tek kjo ndeshje ndaj Çekisë. Dashtë zoti të dalim me rezultat pozitiv, pastaj do të shohim për ndeshjet e radhës. Besoj se do t’ia dalim, pasi kemi shënuar shumë gola. Kjo është ofensiva më e mirë që ka pasur kombëtarja, gjë që më bën të lumtur.

    Konkurrenca na shërben për rezultate pozitive. Kur kombëtarja shënon është diçka e bukur për sulmuesit, por skuadrën nuk e bën reparti, por të gjithë bashkë. Motivim shtesë është kur shënon, ne sulmuesit luajmë për gola. Jemi të lumtur kur shënojmë, besoj se ka ardhur koha të shënoj edhe me Shqipërinë.

    Ne duhet të kemi shpirtin luftarak ndaj Çekisë, tifozët tanë na bëjnë më të fortë. Iu lutem tifozëve të mos hedhin flakadanë, te kjo ndeshje na duhet përkrahje. Duhet të kenë kujdes për sendet që hedhin në fushë, sepse do të dënohen ata dhe ne si kombëtare penalizohemi.

    Çekia është kundërshtari më i fortë i këtij grupi për ne. Çekia nuk është vetëm një apo dy lojtarë të spikatur, duhet të kemi kujdes. Duhet të japim shpirtin në fushë dhe të luajmë me zemër. Shqipëria tani futet për maksimumin, besoj se kemi forcën e duhur për ta kaluar me sukses këtë ndeshje mjaft të vështirë”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark