Kandidati për deputet nga LDK-ja, Driton Selmanaj, ka thënë se Qeveria Hoti e ka nxjerrë Kosovën nga një situatë jo e mirë që sipas tij e kishin lënë qeveritë e kaluara.
Selmanaj ka theksuar në Rubikon se gjatë qeverisjes së tyre e kanë kthyer dialogun me Serbinë në binarë.
“Unë jam i bindur me gjashtë muaj me Avdullah Hotin kemi lënë testament të mjaftueshëm për të dalë krenarë për të kërkuar votën edhe një herë. Jam i bindur që ne e kemi marrë Kosovën në situatën më të keqe që ka qenë ndonjëherë që nga viti 1999, ne e kemi marrë Kosovën me gjendje të keqe ekonomike, gati të izoluar tërësisht, dialogun me Serbinë dhe ballafaqimin me Gjykatën Speciale”.
“Për gjashtë muaj, ne i kemi rregulluar raportet me shtetet tjera që Kosova i ka pasë të prishura. I kemi larguar sanksionet që i ka vendosur Amerika ndaj Kosovës. Për këtë periudhë e kemi kthyer dialogun në binarë. Të dyja qeveritë e kaluara para nesh vendosën masa të cilat të shtynin për mos të shkuar në dialog dhe jo për të zhvilluar atë”.
“Në një situatë të tillë të rëndë që ishte Kosova, ne vendosëm zhbllokojmë 200 milionëshin e bllokuar nga MCC-ja që kjo ishte shumë e rëndë për LDK-në. Ishte ndaluar asistenca financiare për FSK-në, ishin ndaluar trajnimet ndërkombëtare për FSK-në, ishte ndaluar procesi i njohjes nga Xhamajka. Flitej që do të tërhiqeshin trupat amerikane nga Kosova. Kemi nënshkruar edhe një miliard euro të tjera që janë në ardhje. Të gjitha këto i kemi rregulluar, Për dikë duket asgjë, por ne e kthyem Kosovën në binarë në subjektivitetin e saj ndërkombëtar”.
Selmanaj ka thënë se ata kanë hequr dorë nga masa e reciprocitetit që ishte vendosur nga ish Qeveria Kurti, kjo për shkak se e kishte kërkuar Amerika, si dhe ka shtuar se LDK-ja do ta dëgjojë këtë shtet për veprime e tyre në raport me Kosovën.
“Ne do ta dëgjojmë Amerikën çka thotë në çështjen e kontekstit të integriteti të vendit, në kontekst të subjektivitetit të tonë ndërkombëtar dhe në kontekstet të ecjes tonë përpara”
“Ne konsiderojmë aleatin tonë strategjik SHBA-në. Miqësia jonë është përhershme, ne konsultoheni për shumë tema me orë të tëra. Por, normalisht pa dakordimin mes neve dhe palës amerikane nuk iu hyjmë proceseve delikate me Serbinë. Edhe për taksën edhe reciprocitetin pa aleatin tonë, Kosova nuk mundet t’i dalë përballë Serbisë, nëse i ka kundër shtetet aleate”, ka thënë Selmanaj.