Liverpooli e ka lidhur me kontratë të re djalin e njërit prej ish-lojtarëve të Ligës Premier pasi ai shënoi 90 gola brenda një sezoni në kategoritë e grupmoshave.
Keyrol Figueroa, një sulmues 17-vjeçar, ka fituar reputacion të madh brenda akademisë së Liverpoolit, teksa shumë persona kanë parashikuar se ai do të jetë ylli i ardhshëm në ‘Anfield’.
Klubi ka njoftuar zyrtarisht sot (e martë) se Figueroa ka nënshkruar kontratën e tij të parë profesionale.
Figueroa iu bashkua Liverpoolit në grupmoshat U14 dhe ka qenë një golashënues gjakftohtë gjatë gjithë kohës. Së fundmi ai u rikthye nga një lëndim me gol të shënuar nga banka rezervë ndaj Wolvesit.
Për më shumë, Figueroa i ka dëshmuar aftësitë e tij të shënimit me një sezon të cilin e përfundoi me 90 gola të shënuar teksa përfaqësonte grupmoshat U13 dhe U14 të Liverpoolit.
I lindur në Honduras, Figueroa nuk është futbollisti i parë në familjen e tij. Ai në fakt është djali i ish-mbrojtësit të Ligës Premier, Maynor Figueroa, i cili ka gëzuar një karrierë të respektueshme në Angli duke u paraqitur për Wiganin.
Figueroa Sr. Ka bërë 179 paraqitje në Ligën Premier për Wiganin mes viteve 2008 dhe 2015, ndërsa Figueroa Jr, do të shpresojë që të shkojë në hapat e babait të tij./Telegrafi/