"Serbia po vendos kushte, dhe jo vetëm për targat, ndodhemi në një situatë të rrezikshme" - paralajmëron deputeti i AAK-së - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Serbia po vendos kushte, dhe jo vetëm për targat, ndodhemi në një situatë të rrezikshme” – paralajmëron deputeti i AAK-së

    Insajderi
    07 November 2022 - 16:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj është deklaruar rreth zhvillimeve të aktuale në vend. Për dorëheqjet e zyrtarëve serbë, deputetë, policë e gjyqtarë nga institucionet e Kosovës. Për qasjen e Qeverisë Kurti karshi targave, përkatësisht mos-përfilljen e kërkesës së amerikanëve për shtyrjen e afatit për konvertim të targave ilegale në RKS.

    Lekaj tha për Gazetën Insajderi se është krijuar një situatë e rrezikshme dhe se veprimet e serbëve po iu duken të planifikuara.

    Kjo është një situatë e rrezikshme, kemi kthim mbrapa para vitit 2013, kur në veri gjithçka kontrollohej nga strukturat paralele, të krijuara, të mbështetura dhe sponsorizuara nga Beogradi. I gjithë ky operacion i mirë-menduar i Serbisë ka hedhur në ajër marrëveshjet e Brukselit për integrimin e veriut dhe të qytetarëve tanë atje në institucionet dhe shtetin e Kosovës. Vetë fakti që dorëheqjet ishin të sinkronizuara dhe masive, madje para kamerave, siç ishte ajo me policët e policisë së Kosovës, me përkatësi etnike serbe, në veri, dhe të realizuara brenda 48 orësh në të dyja nivelet, qendrore dhe lokale, tregon se kemi të bëjmë me një plan, të menduar mirë dhe që po zbatohet pikë për pikë”, tha Lekaj.

    Pal Lekaj – AAK

    Komentin e dha edhe për dorëheqjen e dhjetë deputetëve të Listës Serbe. Sipas tij, qëllimi i vetëm është të shaqen si ‘viktimë’ në sytë e Perëndimit.

    “…po sillen dhe po veprojnë “në mënyrë demokratike”, duke mos pasur barrikada, protesta të dhunshme apo djegie të pikave kufitare, siç kemi parë më përpara, dhe në një përpjekje të qartë për t’i treguar Perëndimit dhe botës se ata janë “viktima” të politikave të shtetit të Kosovës. Kjo, jo vetëm që është një mashtrim i madh, por mbi të gjitha një lojë shumë, shumë e rrezikshme që synon të na godasë dhe të na armiqësojë me botën. Lista Serbe ka pasur që nga fillimi mbështetjen pa kufi të Beogradit zyrtar dhe ka qenë leva e tyre për të pasur monopolin mbi serbët e Kosovës”, ka thënë ai.

    Serbia po vendos kushte, dhe jo vetëm për targat

    Lekaj duke folur për vendimin e qeverisë për targat për Insajderi tha se ka një pikëpyetje të madhe, që ka të bëjë me atë se nëse nëse qeveria dhe kryeministri ka rënë apo jo në këtë grackë të përgatitur siç thotë ai me kujdes nga Beogradi.

    “Askush nuk e vë në dyshim që marrëveshja e arritur në Bruksel për targat duhet të jetësohet, duhet të zbatohet. Por ajo që po shohim është rezultati: Serbia po vendos kushte, dhe jo vetëm për targat”, u shpreh Lekaj.

    “Beogradi kërkon tani që të mos zbatohet vendimi për targat dhe të krijohet Asociacioni i komunave serbe. Nëse deri dje diskutonim çështjen e targave veç, tani, Serbia ia doli që t’i bëjë bashkë, targat dhe Asociacionin, si dy kushte për kthimin e përfaqësuesve serbë në institucione. Madje, të dyja kërkesat janë tashmë pjesë e fjalorit politik dhe reagimeve, qoftë të SHBA-së, qoftë të BE-së. Më e pakta që mund të them, është se qeveria Kurti dhe Kurti vetë nuk e menaxhuan me mençuri situatën, përkundrazi, ia dhanë justifikimin që priste Beogradi, pavarësisht nga qëllimet e mira për zbatimin e marrëveshjes për targat.

    Nënkryetari i AAK-së ritheksojë edhe njëherë rëndësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë për Kosovën. U shpreh se Kurti po e bën gabimin më të madh kur spo i dëgjon ata.

    “…gabimi më i madh është të mos dëgjosh Shtetet e Bashkuara, dhe t’i japësh avantazh Serbisë, që të vendosë kushtet, duke nxjerrë veriun jashtë kontrollit tonë. Ne nuk mund ta kontrollojmë veriun vetëm me polici, dhe qeveria dhe Kurti vetë duhet ta dinë këtë”, potencoi Lekaj për Insajderi.

    Lekaj nuk i kurseu kritikat ndaj Qeverisë Kurti duke thënë se i mungon profesionalizmi e mençuria.

    Ai deklaroi se “fakti është se pas gjithë kësaj, rezultati i qeverisë Kurti dhe i politikave të tij, është: refuzim i kërkesës amerikane dhe të BE-së për shtyrjen e zbatimit të vendimit; serbët në veri nuk i kanë ndërruar targat; serbët në veri janë tashmë jashtë të gjitha institucioneve të Kosovës; strukturat paralele janë ringjallur edhe zyrtarisht; dhe Beogradi ka përfituar, duke vënë jo një, por disa kushte në tavolinë, përfshi Asociacionin e komunave serbe”.

    Në krejt këtë situatë, deputeti i AAK-së u shpreh i bindur se po përfiton veç Beogradi.

    “Nëse Kurti më thotë një përfitim, apo një situatë pozitive, në gjithë këtë rrëmujë, atëherë i them “bravo të qoftë”. Por në fakt, është e qartë se ka përfituar dhe po përfiton Beogradi, duke e kthyer situatën para vitit 2013 dhe veriun jashtë kontrollit tonë”, potencoi ai.

    Por si nisi gjithçka?

    Gjithçka ka nisur kur Qeveria e Kosovës më 28 tetor mori një vendim të ri lidhur me konvertimin e targave ilegale të lëshuara nga Serbia në legale RKS.

    Vendimi pësoi disa ndryshime, por sërish mbeti në fuqi. Kryeministri Kurti njoftoi se deri me datën 21 nëntor do të jetë në fuqi masa e qortimit. Pastaj nga 21 nëntori deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes.

    Nga 21 janari për dy muaj do të ketë targa provuese dhe pas 21 prillit 2023 s’do të ketë targa të tilla.

    Pas kësaj filluan reagimet nga Beogradi.

    Katër ditë më parë, ish-komandanti i Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, Nenad Gjuriq u shkarkua pasi që refuzoi ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat ilegale serbe.

    “Me datë 03.11.2022, u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.

    Pas kësaj dorëheqje, Gjuriq mori përkrahje nga të gjithë serbët, përkrahjen më të madhe e pati nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Çdo qytetar i ndershëm serb është krenar me ty sot dhe shteti serb do të jetë me ty. Të jesh i sigurt që nuk je vetëm”, raportohet t’i ketë thënë Vuçiq, Gjuriqit.

    Lista Serbe vendosi që të largohet nga institucionet qendrore të Kosovës si dhe nga komunat në veri të vendit pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.

    Pas shkarkimit të ish-komandantit serb edhe zyrtarë tjerë të këtij komunitetit dhanë dorëheqje.

    Të shtunën e 5 nëntorit u raportua se më shumë se 300 policë serbë nga Veriu i Kosovës kanë hequr uniformat e Policisë së Kosovës.

    Sot, edhe zyrtarisht Kuvendi i Kosovës njoftoi se dhjetë deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar mandatet e tyre si deputetë të Kuvendit të Kosovës.

    Një ditë më parë në veri të vendit u protestua. Një numër i madh i qytetarëve serbë u panë në sheshin “Car Lazar” me flamujt e Serbisë si dhe duke dëgjuar muzikë nacionaliste, protesta e thirrur nga serbët e veriut përfunoi pa incidente.

    Në këtë protestë fjalën e ka marrë edhe kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili ka ripërsëritur kërkesat që të mos zbatohet vendimi i qeverisë për targat si dhe të formohet asociacioni.

    Të pranishëm në protestë ishin edhe kryetarët e komunave veriore që kanë dhënë dorëheqje dhe zyrtarët policorë të cilët kanë dorëzuar dje uniformat.

    Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka proceduar kërkesën për zëvendësim të dhjetë deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe.

    Ai ka thënë se ligji e thotë shumë qartë rastin e dorëheqjeve të deputetëve.

    “Unë mendoj se me këtë ngjarje nuk ka ndodhur kurrfarë rrezikimi i rendit kushtetues të Kosovës. Kuantitativisht na ka ndodhë largim më i madh se ky, sepse këso dorëheqje nuk kemi pasur kurrë, por në aspektin ligjor është e njëjta procedurë siç ndodhë edhe me deputetë tjerë”, sqaroi kryetari i Kuvendit.

    Tensionet në Veri – SHBA i bën thirrje sërish Kurtit që ta shtyjë vendimin për targat

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës i ka kërkuar kryeministri Albin Kurti edhe njëherë që të shtyjë menjëherë afatin për zbatimin e marrëveshjet për targat me Serbinë.

    Përmes një komunikate për media, u është bërë thirrje edhe serbëve që të kthehen në institucione, pasi ata janë larguar.

    “Në të njëjtën kohë, ne përsëri i bashkohemi BE-së për t’i kërkuar autoriteteve kosovare që të respektojnë detyrimet e tyre pa ndonjë vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM,derisa të zgjidhet çështja e targave nga palët në kuadër të dialogut”, thuhej në përgjigje.

    Kurti: Serbia e ka zorin diku tjetër, jo te targat e asociacioni

    Sot, Kryeministri, Albin Kurti ka folur për dorëheqjet e serbëve nga institucionet dhe protestën e së dielës në veri të Mitrovicës.

    Kurti ka thënë se serbët po i bëjnë këto veprime të orkestruara nga Serbia, vetëm për shkak të kundërshtimit të projektit franko-gjerman.

    “Ajo çka po ndodh tani është përpjekja për ta ambalazhuar kundërshtimin e propozimit franko-gjerman. Këto veprime po i bëjnë për shkak të kundërshtimit të nismës franko-gjermane apo propozimin e këtyre dy fuqive evropiane. Nuk bëhet fjalë për tabela, as për asociacionin e as për suspendimin e Nenad Gjuriqit. Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ia kanë bërë Parisit dhe Berlinit. Me koordinimin e ngushtë që e kanë me Kremlinin dhe Putinin po i përdorin këto metoda”, ka deklaruar Kurti, përcjell Insajderi.

    Tutje, ai ka thënë se Serbia qartazi është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çdo marrëveshje të arritur.

    “Rruga që e ka zgjedhur është destabilizimi, nuk është rrugë e paqes. Përpjekjet e tilla do të jenë të pasuksesshme sepse shteti jonë është demokratik dhe i rreshtuar me SHBA-të, BE-në e NATO-n. Ka propagandë për lajme të rreme e inskenim të incidenteve të ndryshme nga Serbia”, është shprehur kryeministri.

    Përkrahë Kurtit foli edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili tha se “Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendime tërësisht të ligjshme lidhur me targat”.

    /GazetaInsajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark