×
  • Lajme
  • Insajderi

    Serbia pritet t’i kërkojë KFOR-it dërgimin e forcave të sigurisë në Kosovë

    Insajderi
    15 December 2022 - 10:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, bëri të ditur se pas seancës së 15 dhjetorit, Qeveria e Serbisë do t’i dërgojë kërkesë komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për të dërguar deri në një mijë forca të sigurisë në Kosovë.

    Beogradi qysh më tetë dhjetor paralajmëroi shqyrtimin e vendosjes së forcave të veta në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.

    Me këtë paralajmërim, ai iu përgjigj pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, e cila është e banuar me shumicë serbe.

    I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

    Sipas tij, SHBA-ja e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

    Edhe ish-zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, ka thënë se NATO-ja nuk do ta lejojë kurrë kthimin e ushtarëve serbë në Kosovë.

    Kështu ka thënë ai në një postim në Twitter, pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se do t’i kërkojnë KFOR-it, dislokimin e një numri të ushtarëve dhe policëve serbë në Kosovë, bazuar në Rezolutën 1244.

    “Sipas rezolutës 1244, personeli serb mund të lejohet që t’i kryejë vetëm katër detyra (funksione). Asnjë nga këto pika nuk është në përputhje me situatën dhe qëllimet e Aleksandër Vuçiq. Ai e di mirë që NATO dhe KFOR-i nuk do ta lejojë kurrë këtë”, është shprehur Grasso.

    Grasso ka publikuar edhe pjesë nga Rezoluta.

    “Pas tërheqjes në numër i personelit jugosllav dhe serb do të lejohet të kthehet për t’i kryer funksionet e mëposhtme: Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe praninë ndërkombëtare të sigurisë; Shënimi/pastrimi i fushave të minuara; Mbajtja e një pranie në vendet e trashëgimisë; Mbajtja e pranisë në pikat kyçe kufitare”, shkruhet në dokument.

    Ndryshe, pjesëtarët e EULEX-it në veri të Kosovës janë sulmuar të shtunën e 10 dhjetorit, me bombë afër Rudarit. Por, nuk pati të lënduar.

    “Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale”, kishte njoftuar EULEX-i.

    Sipas EULEX-it, ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme.

    Nga EULEX-i kanë kërkuar që të gjithë ata që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprime të tjera provokuese, “si dhe u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t’i sjellin përpara drejtësisë”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark