Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, Ferat Shala, ka thënë se Prishtina nuk është qyteti me ajrin më të ndotur në botë siç është krijuar perceptim. Megjithatë, institucionet e vendit do të jenë të pamëshirshme ndaj ndotësve të mjedisit.
Ai ka thënë se Kosova sa i përket ndotjes së ajrit është përafërsisht në të njëjtin nivel me vendet e rajonit dhe me ato të Bashkimit Evropian, shkruan Zëri.
Megjithatë, Shala ka thënë se është kërkuar edhe nga Qeveria që të zbatohen ligjet dhe aktet tjera nënligjore sa i përket sanksionimit të ndotësve të ambientit.
Shala gjithashtu ka thënë se Ministria që ai drejton e ka prezantuar para Qeverisë, Planin e Veprimit, plan ky që sipas tij, në detaje i sqaron shkaqet e ndotjes dhe masat që duhet të ndërmerren.
Ndotësit kryesorë sipas Shalës janë termocentralet, ekonomitë familjare të cilat përdorin thëngjillin, bizneset tjera si dhe automjetet.
Ai gjithashtu ka thënë se javët e fundit ka ndikuar negativisht edhe mungesa e erërave për ta larguar ajrin e ndotur.