×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Shefi problematik i ministres Hajdari, më herët i ndalur nga Policia e tash përjashtohet nga mbledhja për arrogancë

    Insajderi
    19 March 2024 - 16:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shefi i kabinetit të ministres, Rozeta Hajdari, Kushtrim Dakaj është larguar sot nga Komisioni parlamentar për Ekonomi. Kjo për shkak se ai kishte tentuar t’iu japë “mësim” deputetëve të opozitës, të cilët pastaj me ngulm kërkuan largimin e tij. Ndërkohë, po i njëjti ishte ndaluar nga Policia e Kosovës në prill të 2020-ës, shkruan Insajderi.

    Dakaj në atëkohë i kishte shfrytëzuar pozitën e tij prej këshilltari të ministres Hajdari, për t’i dhënë vetes kompetenca të rrejshme.

    Nga posti i këshilltarit, ai e kishte luajtur edhe rolin e inspektorit. Ai kishte hyrë në një lokal gjatë kohës së pandemisë duke iu thënë se po punonin në kundërshtim me vendimet e qeverisë.

    Këshilltari i ministres e kishte prezantuar veten si inspektor edhe para policisë. Madje i kishte njoftuar për “inspektimin” që veçse kishte bërë. Pra ai kishte kryer vepër penale duke u prezantuar rrejshëm.

    Policia e kishte ndaluar këshilltarin Dakaj,  si të dyshuar për vepër penale.

     “Me datë 11.04.2020 rreth orës 11:48 në Rr. Fadil Hoxha –Kalabri fillimisht është raportuar se ankuesi i lindur më 28.03.1985 m/sh/k ka raportuar për një lokal të hapur në këtë lokacion. Njësia policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë vërejtur se ankuesi është prezantuar rrejshëm ndaj qytetarëve si Inspektor i Tregut. Me urdhër të prokurorit kujdestar Ali Ajdini i njëjti është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. Është iniciuar rasti dhe mbetet nën hetime”, thuhej në raport të Policisë.

    Ka qenë deputeti i AAK-së, Pal Lekaj dhe deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku të cilët i kërkuan kryesuesit të këtij komisioni Ferat Shala që ta përjashtonte nga mbledhja Kushtrim Dakajn, shefin e kabinetit të ministres.

    “Nuk keni të drejtë ta keni këtë sjellje. Më së pari edukohuni, tani hajdeni me raportu në Komision. Kryesues, kërkoj ta largoni prej sallës. Ky s’ka të drejtë me mu drejtu ashtu”, tha deputetja e LDK-së

    “Jo jo jo, nuk tolerohet me ofendu deputeten dhe kërkoj të largohet prej sallës. Çu largohu prej sallës. Çu, çu largohu prej sallës. Çu largohu prej sallës”, vijoi komenti i Lekajt tutje.

    “Ministre, lirona të lutem. Unë s’po e di as kush ke me të thënë të drejtën”, tha Shala, ndërsa zyrtari i ministrisë e pranoi vendimin duke e liruar sallën.

    Ministrja Rozeta Hajdari tha se u bullizua nga deputetët Lekaj dhe Bunjaku, ndërsa e pyeti kryesuesin se pse s’mori masa ndaj dy deputetëve.

    “Zyrtari që ju e largut është shefi i stafit të kabinetit të Industrisë, Kushtrim Dakaj. U indinjua nga sjelljet… prandaj ishte ky reagim i tij. A është e lejuar që unë të bullizohem… a more ndonjë masë, ka qenë bullizim nga deputeti Pal Lekaj dhe Valentina Bunjaku. Zbatoje legjislacionin. Për hir të publikut unë nuk e përdori gjuhën e bullizimit”, u shpreh ministrja Hajdari.

    /Insajderi  

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark