Hipotension (tension i ulët i gjakut) përkufizohet si rënia e tensionit arterial nën 90 me 60 mmHg, por duhet theksuar se përtej gjuhës së shifrave, hipotensioni arterial konsiderohet një rënie e presionit arterial me 20 mmHg ose më shumë, i cili shkakton simptoma klinike si marrje mendsh, errësim të pamjes, mungesë përqendrimi, nauze, këputje apo të fikët.
Simptomat
Truri zakonisht i shfaq simptomat e para të hipotensionit. Përveç marramendjes dhe të përzierave, mund të ndiheni të lodhur dhe keni mungesë përqendrimi. Disa njerëz kanë gjithashtu gjithmonë të ftohtë, frymëmarrje të shpejtë, shikim të turbullt ose dhimbje të gjoksit. Nëse tensioni i ulët shkaktohet nga dehidratimi, mund të ndieni edhe etje të pazakontë.
Enët e zgjeruara të gjakut
Ndonjëherë enët e gjakut zgjerohen. Kështu ka më shumë hapësirë për rrjedhjen e gjakut dhe më pak presion në muret e enëve të gjakut. Kjo mund të shkaktohet nga përdorimi i disa ilaçeve, infeksionet e rënda bakteriale, alergji dhe probleme hormonale, si sëmundja e Addison, që dobëson gjëndrat veshkore.
Qëndrimi në këmbë për një kohë të gjatë
Nëse qëndroni për një kohë të gjatë në këmbë, gjaku fillon të grumbullohet në gjymtyrët e poshtëm. Nëse truri nuk e sinjalizon zemrën që të pompojë mjaftueshëm gjak për të mbajtur presionin nën kontroll, mund të kenë ulje të niveleve të presionit duke iu shkaktuar marramendje dhe të përziera. Ky problem është si pasojë e një komunikimi të dobët mes zemrës dhe trurit.
Problemet me zemrën
Sa më shumë gjak pompon zemra në një minutë, aq më i lartë është presioni i gjakut. Disa ilaçe të caktuara dhe problemet hormonale, me zemrën ose me sinjalet elektrike mund të shkaktojnë ngadalësim të rrahjeve të zemrës, duke ulur kështu presionin. Problemet me valvulat e zemrës gjithashtu bëjnë që zemra të mos pompojë mjaftueshëm gjak për rrahje.